GJONI
Kapitull 21
Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë:
2 Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.
3 Simon Pjetri u tha atyre: ''Po shkoj të peshkoj''. Ata i thanë: ''Po vijmë edhe ne me ty''. Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë.
4 Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi.
5 Dhe Jezusi u tha atyre: ''O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?''. Ata iu përgjigjën: ''Jo!''.
6 Dhe ai u tha atyre: ''Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni''. E hodhën, pra, dhe s'mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.
7 Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: ''Éshtë Zoti''. Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.
8 Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.
9 Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë.
10 Jezusi u tha atyre: ''Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!''.
11 Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.
12 Jezusi u tha atyre: ''Ejani të hani mëngjes''. Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: ''Kush je?'', duke ditur se ishte Zoti.
13 Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.
14 Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri.
15 Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ''Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti qengjat e mi!''.
16 Përsëri e pyeti për të dytën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Ki kujdes për delet e mia''.
17 E pyeti për të tretën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ''A më do ti mua?'', dhe iu përgjigj: ''Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti delet e mia.
18 Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t'i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje''.
19 I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç'vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: ''Ndiqmë''.
20 Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte pyetur: ''Zot, kush është ai që po të tradhton?''.
21 Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: ''Zot, dhe me të ç'do të bëhet?''.
22 Jezusi iu përgjigj: ''Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç'të duhet? Ti ndiqmë!''.
23 Atëherë u hap zëri midis vëllezërve se ai dishepull nuk do të vdiste; por Jezusi nuk i kishte thënë Pjetrit se ai nuk do të vdiste, por: ''Nëse unë dua që ky të mbetet derisa të vij unë, ç'të duhet?''.
24 Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që ka shkruar këto gjëra; dhe ne dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.
25 Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t'i nxinte librat që do të mund të shkruheshin. Amen.