GJONI
Kapitull 13
Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.
2 Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte,
3 Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej,
4 u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh.
5 Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t'ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.
6 Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: ''Zot, ti të m'i lash këmbët mua?''.
7 Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj''.
8 Pjetri i tha: ''Ti kurrë nuk do të m'i lash këmbët''. Jezusi iu përgjigi: ''Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua''.
9 Simon Pjetri i tha: ''Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën''.
10 Jezusi i tha: ''Ai që është i larë, s'ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë''.
11 Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: ''Nuk jeni të gjithë të pastër''.
12 Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: ''A e kuptoni këtë që ju kam bërë?
13 Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam.
14 Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t'i lani këmbët njëri-tjetrit.
15 Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.
16 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar.
17 Po t'i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t'i bëni.
18 Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje".
19 Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti.
20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar''.
21 Mbasi i tha këto fjalë, Jezusi, u trondit në frymë, dhe dëshmoi e tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë''.
22 Atëherë dishepujt u panë njëri me tjetrin, por nuk arrinin të kuptonin për kë po fliste.
23 Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit.
24 Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë të pyeste kush ishte ai për të cilin foli.
25 Dhe ai dishepull, duke u përkulur mbi kraharorin e Jezusit, e pyeti: ''Zot, kush është?''.
26 Jezusi u përgjigj: ''Éshtë ai të cilit do t'i jap kafshatën, pasi ta kem ngjyer''. Dhe e ngjeu kafshatën e ia dha Judë Iskariotit, birit të Simonit.
27 Dhe pas kafshatës, Satani hyri në të. Atëherë Jezusi i tha: ''Ç'ke për të bërë, bëje shpejt!''.
28 Por asnjë nga ata që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse ai e tha këtë.
29 Disa në fakt mendonin se, duke qenë se Juda e mbante qesen, Jezusi i kishte thënë: ''Bli gjërat që na duhen për festën''; ose që t'u jepte diçka të varfërve.
30 Ai, pra, mori kafshatën dhe doli menjëherë. Ishte natë.
31 Kur doli ai, Jezusi tha: ''Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të.
32 Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë.
33 Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve.
34 Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.
35 Prej kësaj do t'ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin''.
36 Simon Pjetri i tha: ''Zot, ku po shkon?''. Jezusi iu përgjigj: ''Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh''.
37 Pjetri i tha: ''Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!''.
38 Jezusi iu përgjigj: ''Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, para se ti të më kesh mohuar tri herë!''.