GJONI
Kapitull 2
Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.
2 Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.
3 Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: ''Nuk kanë më verë!''.
4 Jezusi i tha: ''Ç'ke me mua, o grua? Ora ime s'ka ardhur akoma!''.
5 Nëna e tij u tha shërbëtorëve: ''Bëni gjithçka që ai t'ju thotë!''.
6 Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.
7 Jezusi u tha: ''Mbushni enët me ujë!''. Dhe ata i mbushën deri në grykë.
8 Pastaj u tha: ''Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës''. Dhe ata ia çuan.
9 Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,
10 dhe i tha: ''Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!''.
11 Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.
12 Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë.
13 Pra, Pashka e Judenjve ishte afër dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.
14 Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur;
15 dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat,
16 dhe shitësve të pëllumbave u tha: ''Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!''.
17 Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: ''Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!''.
18 Atëherë Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: ''Ç'shenjë na tregon se i bën këto gjëra?''.
19 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!''.
20 Atëherë Judenjtë thanë: ''U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?''.
21 Por ai fliste për tempullin e trupit të vet.
22 Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jezusi.
23 Dhe kur qe në Jeruzalem për festën e Pashkës, shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte,
24 por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë,
25 dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç'kishte përbrenda njeriut.