VEPRAT

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28


Kapitull 27

Kur u vendos që ne të lundrojmë për në Itali, Pali dhe disa të burgosur të tjerë iu dorëzuan një centurioni me emër Jul, i kohortës Augusta.
2 Hipëm në një anije të Adramitit, që duhej të kalonte nga portet e brigjeve të Azisë, dhe lundronim duke pasur me vete Aristarkun, një maqedonas nga Thesaloniki.
3 Të nesërmen arritëm në Sidon; dhe Juli, duke u treguar njerëzor me Palin, i dha leje të shkojë te miqtë e vet dhe që të kujdesen për të.
4 Pastaj, si u nisëm prej andej, lundruam të mbrojtur nga Qipro, sepse erërat ishin të kundërta.
5 Si e kaptuam detin e Kilikisë dhe të Panfilisë, arritëm në Mirë të Likisë.
6 Centurioni gjeti atje një anije të Aleksandrisë, që do të shkonte për në Itali, dhe na futi në të.
7 Duke lundruar ngadalë për shumë ditë, arritëm me vështirësi deri përballë Knidit, sepse nuk na linte era; pastaj filluam të lundrojmë të mbrojtur nga Kreta nga ana e Salmonit.
8 Dhe duke lundruar me shumë vështirësi përbri brigjeve të saj, arritëm në një vend që quhet Limanet e Bukur, pranë të cilit ishte qyteti Lasea.
9 Dhe, duke qenë se kishte kaluar mjaft kohë dhe lundrimi ishte bërë i rrezikshëm, sepse edhe agjërimi tashmë kishte kaluar, Pali i këshilloi ata të anijes,
10 duke thënë: ''O burra, unë po shoh se lundrimi do të bëhet me rrezik dhe me dëm të madh jo vetëm për ngarkesën dhe për anijen, por edhe për ne vetë.
11 Por centurioni kishte më shumë besim te timonieri dhe te kapiteni i anijes sesa në ato që thoshte Pali.
12 Dhe duke qenë se ai liman nuk ishte i përshtatshëm për të dimëruar, shumica qe e mendimit të lundronim prej andej për t'u përpjekur të arrijnim në njëfarë mënyre në Fenike, një liman i Kretës, që
13 Dhe kur filloi të fryjë lehtë juga, duke menduar se mund të realizohej qëllimi i tyre, i ngritën spirancat dhe filluan të lundrojnë afër brigjeve të Kretës.
14 Por, pak më vonë, shpërtheu mbi ishull një erë e vrullshme, që e quajnë euroklidon.
15 Duke qenë se anija po ikte pa qenë në gjendje t'i qëndronte erës, e lamë në mëshirë të fatit dhe kështu filluam të shkojmë sa andej-këtej.
16 Si kaluam me të shpejtë pranë një ishulli të vogël, që quhet Klauda, arritëm me vështirësi ta vëmë nën kontroll sandallin.
17 Dhe, mbasi e ngritën në bordin, detarët përdorën të gjitha mënyrat për ta ngjeshur nga poshtë anijen dhe, nga frika se mos ngecnin në cekëtinat ranore të Sirtës, i ulën velat dhe kështu shkonin andej-këtej.
18 Por mbasi furtuna na vuri përpara me forcë, të nesërmen filluan ta hedhim në det ngarkesën.
19 Ditën e tretë, hodhën me duart e tyre, pajisjet e anijes në det.
20 Dhe, duke qenë se prej shumë ditësh nuk dukeshin as dielli as yjet, dhe furtuna po tërbohej, humbi tashmë çdo shpresë shpëtimi.
21 Edhe, mbasi kishin mbetur shumë kohë pa ushqim, Pali u çua në mes të tyre dhe tha: ''O burra, po të më kishit dëgjuar dhe të mos ishit nisur nga Kreta, do t'i ishim shmangur këtij rreziku dhe kësaj humbjeje.
22 Dhe tani ju këshilloj të mos e humbni torruan sepse asnjë shpirt nga ne nuk do të humbasë, përveç anijes.
23 Sepse këtë natë m'u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit unë i përkas dhe të cilit unë i shërbej,
24 duke thënë: "Pal, mos druaj, ti duhet të dalësh para Cezarit; dhe ja, Perëndia ty t'i ka dhënë të gjithë ata që lundrojnë me ty".
25 Prandaj, o burra, kini zemër të gëzuar, sepse unë besoj në Perëndinë se do të ndodhë pikërisht ashtu siç m'u tha.
26 Edhe duhet të ngecim në një ishull''.
27 Kur erdhi nata e katërmbëdhjetë që po kalonim andej e këndej në detin Adriatik, aty nga mesnata detarët patën përshtypjen se po i afroheshin një toke.
28 Dhe, si hodhën matësin e thellësisë, gjetën njëzet pashë thellësi; pastaj, pak më tutje e hodhën përsëri matësin e thellësisë dhe gjetën pesëmbëdhjetë pashë.
29 Atëherë, nga frika se mos përplaseshin kundër shkëmbinjve, hodhën nga kiçi katër spiranca, duke pritur me ankth që të bëhej ditë.
30 Por, duke qenë se detarët kërkonin të iknin prej anijes dhe po e ulnin sandallen në det gjoja për të hedhur spirancat nga bashi,
31 Pali u tha centurionit dhe ushtarëve: ''Po nuk qëndruan këta në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni''.
32 Atëherë ushtarët i prenë litarët e sandallit dhe e lanë të bjerë jashtë.
33 Dhe në pritje që të bëhej ditë, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka, duke thënë: ''Sot është e katërmbëdhjeta ditë që, duke pritur, jeni të uritur, pa ngrënë asgjë.
34 Prandaj ju këshilloj të hani diçka, sepse kjo është për shpëtimin tuaj; sepse as edhe një fije floku nga kokat tona nuk do të bjerë''.
35 Si tha këto, mori bukë, iu falënderua Perëndisë përpara të gjithëve, pastaj e theu dhe filloi të hajë.
36 Atëherë të gjithë, si morën zemër, morën edhe ata nga ushqimi.
37 Dhe në anijen ne ishim gjithsej dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta.
38 Dhe mbasi hëngrën sa u ngopën, e lehtësuan anijen duke hedhur grurin në det.
39 Dhe kur u gdhi, nuk e njihnin dot vendin, por vunë re një gji me një breg dhe vendosën ta shtyjnë anijen aty, po të mundnin.
40 I zgjidhën spirancat dhe i lanë të fundosen në det, duke zgjidhur në të njëjtën kohë të lidhurat e timonit; pastaj, si e ngritën velën kryesore nga era, u drejtuan për te bregu.
41 Por, mbasi ranë në një cekëtinë që kishte deti nga të dy anët, anija ngeci dhe mbeti me bashin të zënë e të palëvizshëm, ndërsa kiçi po shkallmohej nga furia e valëve.
42 Ushtarët ishin të mendimit t'i vritnin robërit, që asnjë të mos ikte me not.
43 Por centurioni, duke dashur të shpëtojë Palin, ua largoi mendimin për këtë propozim dhe u dha urdhër atyre që dinin të notonin të hidheshin të parët në det dhe të dilnin në tokë;
44 pastaj të tjerët, kush mbi dërrasa, kush mbi pjesë të anijes; dhe kështu ndodhi që të gjithë mundën të shpëtojnë në tokë.