VEPRAT

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28


Kapitull 15

Dhe disa, që zbritën nga Judeja, mësonin vëllezërit: ''Nëse nuk jeni rrethprerë sipas ritit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni''.
2 Duke qenë se u bë një grindje jo e vogël dhe një diskutim nga ana e Palit dhe e Barnabës me ata, u dha urdhër që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten në Jeruzalem tek apostujt dhe te pleqtë për këtë çështje.
3 Ata, pra, si u përcollën nga kisha, kaluan nëpër Feniki dhe Samari, duke treguar kthimin e johebrenjve dhe duke u sjellë gëzim të madh mbarë vëllezërve.
4 Kur arritën në Jeruzalem, u pritën nga kisha, nga apostujt dhe nga pleqtë dhe treguan për gjërat e mëdha që Perëndia kishte bërë me anën e tyre.
5 Por u ngritën disa nga sekti i farisenjve, që kishin besuar dhe thanë: ''Duhen rrethprerë johebrenjtë dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut''.
6 Atëherë apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem.
7 Dhe duke qenë se lindi një diskutim i madh, Pjetri u çua në këmbë dhe u tha atyre: ''Vëllezër, ju e dini se që në kohët e para Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë.
8 Perëndia, që i njeh zemrat, u ka dhënë atyre dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, sikurse edhe neve;
9 dhe ai nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.
10 Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë?
11 Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata''.
12 Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnabën dhe Palin, që tregonin ç'shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj.
13 Dhe si heshtën ata, Jakobi e mori fjalën dhe tha: ''Vëllezër, më dëgjoni!
14 Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij.
15 Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar:
16 "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t'i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë,
17 që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto".
18 Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij.
19 Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia,
20 por t'u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.
21 Sepse Moisiu që nga kohët e lashta ka njerëz të cilët në çdo qytet e predikojnë atë, duke qënë i lexuar çdo të shtunë në sinagoga''.
22 Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve me gjithë kishën të dërgojnë në Antioki, me Palin dhe Barnabën, disa njerëz të zgjedhur nga ata: Judën, mbiquajtur Barsaba, dhe Silën, njerëz me autoritet ndër vëllezërit,
23 me një letër të shkruar nga dora e tyre që thoshte: ''Apostujt, pleqtë dhe vëllezërit, vëllezërve nga johebrenjtë që janë në Antioki, Siri dhe Kiliki, përshëndetje.
24 Duke qenë se morëm vesh se disa që erdhën prej nesh, por të cilëve ne nuk u kishim dhënë asnjë porosi, ju kanë shqetësuar me fjalë duke trazuar shpirtrat tuaj, duke thënë se ju duhet të rrethpriteni dhe të zbatoni ligjin,
25 na u duk e mirë neve, të mbledhur tok me një zemër, të zgjedhim disa njerëz dhe t'i dërgojmë bashkë me të dashurit tanë Barnaba dhe Pal,
26 njerëz që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit.
27 Kemi dërguar, pra, Judën dhe Silën; edhe ata do t'ju tregojnë me gojë të njëjtat gjëra.
28 Në fakt na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme:
29 që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijiuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria; do të bëni mirë të ruheni nga këto. Qofshi mirë''.
30 Ata, pra, mbasi u ndanë, zbritën në Antiokia dhe, si mblodhën kuvendin, e dorëzuan letrën.
31 Dhe ata, mbasi e lexuan, u gëzuan për ngushëllimin.
32 Dhe Juda e Sila, që ishin edhe ata profetë, me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan.
33 Mbasi ndenjën atje ca kohë, u dërguan prapë me paqtim nga vëllezërit tek apostujt.
34 Por Silës iu duk mirë të mbetej aty.
35 Edhe Pali e Barnaba qëndruan në Antioki, duke mësuar dhe duke shpallur me shumë të tjerë fjalën e Zotit.
36 Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: ''Le të kthehemi të shohim vëllezërit tanë në çdo qytet, ku kemi shpallur fjalën e Perëndisë, për të parë si janë''.
37 Dhe Barnaba donte të merrte me vete Gjonin, të quajtur MARKU / Mark.
38 Por Pali mendonte se nuk duhej marrë me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili, dhe nuk kishte shkuar me ata në punë.
39 Atëherë lindi një grindje saqë ata u ndanë njëri nga tjetri; pastaj Barnaba, mbasi mori mark un, lundroi për në Qipro.
40 Por Pali zgjodhi Silën dhe u nis, pasi vëllezërit e lanë në hir të Perëndisë.
41 Dhe përshkoi Sirinë dhe Kilikinë, duke i forcuar kishat.