Jeremia
Kapitull 8
"Në atë kohë", thotë Zoti, "do të nxirren nga varret eshtrat e mbretërve të Judës, eshtrat e princërve, eshtrat e profetëve dhe eshtrat e banorëve të Jeruzalemit,
2 dhe do të ekspozohen para diellit, para hënës dhe para tërë ushtrisë së qiellit, që ata kanë dashur, kanë shërbyer, kanë ndjekur, kanë konsultuar dhe para të cilëve kanë rënë përmbys; nuk do të mblidhen as do të groposen, por do të jenë si pleh mbi faqen e dheut.
3 Atëherë vdekja do të jetë më e mirë se jeta për të gjitha mbeturinat e kësaj race të keqe në tërë vendet ku do t'i kem shpërndarë", thotë Zoti i ushtrive.
4 Ti do t'u thuash atyre: "Kështu thotë Zoti: Në rast se dikush rrëzohet, a nuk ngrihet vallë? Në rast se dikush ndërron drejtimin, a nuk kthehet vallë?
5 Pse, pra, ky popull, o Jeruzalem, është shmangur me një rebelim të përjetshëm? Ngulin këmbë në mashtrim dhe nuk pranojnë të kthehen.
6 U kam kushtuar kujdes dhe i kam dëgjuar, por ata nuk flasin drejt; asnjeri nuk pendohet për ligësinë e tij dhe nuk thotë: "Çfarë bëra unë?". Secili merr përsëri vrapimin e tij, si një kalë që hidhet në betejë.
7 Madje edhe lejleku i qiellit i njeh stinët e tij, turtulli, dallëndyshja dhe krilat shikojnë me kujdes kohën e kthimit të tyre, por populli im nuk e njeh ligjin e Zotit.
8 Si mund të thoni: "Ne jemi të urtë dhe ligji i Zotit është me ne"? Por ja, pena e rreme e shkruesve e ka bërë një falsitet.
9 Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë?
10 Prandaj bashkëshortet e tyre do t'ua jap të tjerëve dhe arat e tyre pronarëve të rinj, sepse nga më i vogli deri te më i madhi lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti të gjithë përdorin gënjeshtrën.
11 Ata mjekojnë shkel e shko plagën e bijës së popullit tim, duke thënë: "Paqe, paqe", kur nuk ekziston paqja.
12 A u vinte turp vallë kur kryenin veprime të neveritshme? Jo! nuk kishin turp aspak dhe nuk dinin ç'është të skuqesh. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t'i vizitoj do të përmbysen", thotë Zoti.
13 Do t'i shfaros me siguri", thotë Zoti. "Nuk do të ketë më rrush te hardhia as fiq te fiku dhe gjethet do të fishken. Edhe gjërat që u kam dhënë do t'u hiqen".
14 "Pse rrimë ulur? Mblidhuni dhe të hyjmë në qytetet e fortifikuara, dhe në to të vdesim. Sepse Zoti, Perëndia ynë, na bën të vdesim dhe na bën të pimë ujë të helmuar, sepse kemi mëkatuar kundër Zotit.
15 Prisnim paqen, por nuk erdhi asnjë e mirë, një kohë shërimi, por ja, terrori".
16 Nga Dani dëgjohet turfullima e kuajve të tij; në zhurmën e hingëllimave të kuajve të tij të luftës dridhet gjithë vendi, sepse vijnë dhe gllabërojnë vendin dhe tërë ato që ai ka, qytetin dhe banorët e tij.
17 "Sepse ja, unë do të dërgoj kundër jush gjarpërinj dhe nepërka, kundër të cilëve nuk vlen asnjë yshtje dhe ata do t'ju kafshojnë", thotë Zoti.
18 Sikur të gjeja ngushëllim për dhembjen time. Zemra po më ligështohet përbrenda.
19 Ja një zë: është britma e bijës së popullit tim nga një tokë e largët: "Mos vallë Zoti është në Sion? A nuk është mbreti i tij në mes të tij?". "Pse kanë ngacmuar zemërimin tim me shëmbëlltyrat e tyre të gdhendura dhe me idhuj të huaj?".
20 Korrja ka mbaruar, vera ka marrë fund dhe ne nuk kemi shpëtuar.
21 Për plagën e bijës së popullit tim jam i dëshpëruar, po mbaj zi, jam i tmerruar.
22 A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad, a nuk ka atje ndonjë mjek? Pse, pra, nuk po i vjen shërimi bijës së popullit tim?