Jeremia

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48 49 50 51 52


Kapitull 52

Sedekia ishte njëzetenjë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, e bija e Jeremia nga Libnahu.
2 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha gjërat ashtu si kishte bërë Jehojakimi.
3 Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, që më në fund i dëboi nga prania e tij. Pastaj Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.
4 Në vitin e nëntë të mbretërimit të tij, në muajin e dhjetë, më dhjetë të muajit, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit, fushoi kundër tij dhe ndërtoi rreth e rrotull ledhat.
5 Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia.
6 Në muajin e katërt, më nëntë të muajit, uria ishte aq e rëndë në qytet, sa që nuk kishte më bukë për popullin e vendit.
7 Atëherë u hap një e çarë në muret dhe të gjithë luftëtarët ikën, duke dalë natën nga qyteti nëpër portën midis dy mureve, e cila ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse Kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu ata morën rrugën e Arabahut.
8 Por ushtria e Kaldeasve ndoqi mbretin, e arriti Sedekian në fushën e Jerikos, ndërsa tërë ushtria e tij po shpërndahej larg tij.
9 Kështu ata zunë mbretin dhe e çuan në Riblah, në vendin e Hamathit te mbreti i Babilonisë, që shqiptoi vendimin kundër tij.
10 Mbreti i Babilonisë vrau pastaj bijtë e Sedekias para syve të tij dhe vrau gjithashtu tërë princat e Judës në Riblah;
11 pastaj i nxori sytë Sedekias. Mbreti i Babilonisë e lidhi me pranga prej bronzi, e çoi në Babiloni dhe e futi në burg deri ditën e vdekjes së tij.
12 Muajin e pestë, më dhjetë të muajit (që ishte viti i nëntëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë), Nebuzaradani, komandanti i rojeve personale në shërbim të mbretit të Babilonisë, arriti në Jeruzalem.
13 Ai dogji shtëpinë e Zotit dhe shtëpinë e mbretit dhe u vuri flakën tërë shtëpive të Jeruzalemit dhe tërë shtëpive të fisnikëve.
14 Tërë ushtria e Kaldeasve që ishte me komandantin e rojeve rrëzoi të gjitha muret rreth e qark Jeruzalemit.
15 Pastaj Nebuzaradani, komandanti i rojeve, internoi pjesën më të varfër të popullit; pjesën e popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që kishin kaluar në shërbim të mbretit të Babilonisë dhe kusurin e popullsisë.
16 Por Nebuzaradani, komandanti i rojeve, la disa nga më të varfrit e vendit të punojnë vreshtat dhe arat.
17 Kaldeasit i copëtuan shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit dhe e çuan bronzin në Babiloni.
18 Ata morën edhe tiganët, kunjat, thikat, legenët, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin në shërbimin e tempullit.
19 Komandanti i rojes mori gjithashtu kupat, mangallët, legenët, shandanet, tasat dhe kupat, arin e sendet që ishin prej ari të kulluar dhe argjendin e kulluar.
20 Sa për dy kolonat, për detin dhe për të dymbëdhjetë qetë prej bronzi që ishin poshtë tij dhe për qerret që Salomoni kishte bërë për shtëpinë e Zotit, bronzi i tërë këtyre sendeve kishte një peshë që nuk mund të llogaritej.
21 Për sa u përket shtyllave, lartësia e një shtylle ishte tetëmbëdhjetë kubitë; dhe duhej një fill prej dymbëdhjetë kubitësh për të matur rrethin e tyre; trashësia e saj ishte katër gishtërinj; nga brenda ishte bosh.
22 Mbi të ngrihej një kapitel prej bronzi, lartësia e një kapiteli ishte pesë kubitë; rreth e qark kapitelit kishte një rrjetëz dhe disa shegë, të gjitha prej bronzi. Shtylla tjetër me shegë, ishte e njëllojtë me të.
23 Rreth e qark kishte nëntëdhjetë e gjashtë shegë dhe tërë shegët rrotull rrjetëzës arrinin në njëqind.
24 Komandanti i rojes mori Serajahun, kryepriftin, Sofonian, priftin e dytë, dhe tre rojtarë të portës.
25 Nga qyteti ai mori edhe një eunuk që komandonte luftëtarët, shtatë burra ndër këshilltarët personalë të mbretit që u gjetën në qytet, sekretarin e komandantit të ushtrisë që rekrutonte popullin e vendit dhe gjashtëdhjetë burra nga populli i vendit që u gjetën në qytet.
26 Kështu Nebuzaradani, komandanti i rojeve, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah,
27 dhe mbreti i Babilonisë i vrau në Riblah, në vendin e Hamathit.
28 Kështu Juda u çua në robëri larg vendit të tij. Ky është populli që Nebukadnetsari internoi vitin e shtatë: tremijë e njëzet e tre Judej.
29 Në vitin e tetëmbëdhjetë të Nebukadnetsarit u shpërngulën nga Jeruzalemi tetëqind e tridhjet e dy veta.
30 Në vitin e njëzetë e tretë të Nebukadnetsarit, Nebuzaradani, komandanti i rojes, internoi shtatëqind e dyzet e pesë Judej: gjithsej katërmijë e gjashtëqind veta.
31 Në vitin e tridhjetë e shtatë të robërisë së Jehojakimit, mbretit të Judës, në muajin e dymbëdhjetë, më pesë të muajit, Evil-Merodaku, mbret i Babilonisë, vitin e parë të mbretërisë së tij e fali
32 I foli me dashamirësi dhe vendosi ndenjësen e tij mbi atë të mbretërve që ishin me të në Babiloni.
33 Kështu Jehojakimi i ndërroi rrobat e robërisë së tij dhe hëngri gjithnjë bukën në prani të mbretit tërë ditët e jetës së tij.
34 Për ushqimin e tij i jepej rregullisht një racion ushqimi nga ana e mbretit të Babilonisë, një racion çdo ditë, deri ditën e vdekjes së tij, tërë ditët e jetës së tij.