Predikuesi
Kapitull 9
Kështu unë e mendova gjithë këtë në zemrën time për të kërkuar ta qartësoj; që të drejtët dhe të urtët dhe veprat e tyre janë në duart e Perëndisë. Njeriu nuk njeh as dashurinë as urrejtjen; gjithçka është para tij.
2 Çdo gjë u ndodh në mënyrë të njëllojtë të gjithëve: i njëjti fat pret të drejtin dhe të pabesin, të mirin, të pastrin dhe të papastrin, atë që ofron flijime dhe atë që nuk i ofron. Si i miri është edhe mëkatari, dhe ai që betohet si ai që ka frikë të betohet.
3 Kjo është një e keqe që bëhet nën diell; të gjithë kanë të njëjtin fat, dhe përveç kësaj zemra e bijve të njerëzve është plot ligësi dhe marrëzia qëndron në zemrën e tyre për deri sa jetojnë; pastaj shkojnë te të vdekurit.
4 Për deri sa njeriu është i bashkuar me gjithë të gjallët e tjerë ka shpresë, sepse një qen i gjallë vlen më tepër se një luan i ngordhur.
5 Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet.
6 Edhe dashuria e tyre, urrejtja e tyre dhe smira e tyre janë zhdukur tashmë, dhe ata nuk do të kenë asnjë pjesë në të gjitha ato që bëhet nën diell.
7 Shko, ha bukën tënde me gëzim dhe pi verën tënde me zemër të gëzuar, sepse Perëndia i ka pëlqyer veprat e tua.
8 Rrobat e tua qofshin të bardha në çdo kohë dhe vaji mos mungoftë kurrë mbi kokën tënde.
9 Gëzoje jetën me gruan që do për të gjitha ditët e jetës tënde të kotësisë, që ai të ka dhënë nën diell për të gjitha ditët e kotësisë, sepse kjo është pjesa që të takon në jetë dhe në mundin që kryen nën diell.
10 Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde, sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.
11 Gjithashtu pashë nën diell që vrapimi nuk fitohet nga ai që është i shpejtë as beteja nga të fortët; as buka nuk u shkon të urtëve, as pasuritë njerëzve të zgjuar, as favori atyre që janë të shkathët,
12 Sepse njeriu nuk e njeh orën e tij; ashtu si peshqit që kapen në një rjetë mizore dhe si zogjtë që kapen në një kurth, kështu bijtë e njerëzve kapen në kurth në kohën e fatkeqësisë, kur ajo bie papritur mbi ta.
13 E pashë edhe këtë shembull të diturisë nën diell dhe m'u duk i madh.
14 Ishte një qytet i vogël me pak njerëz brenda; një mbret i madh doli kundra, e rrethoi dhe ndërtoi bastione të mëdha.
15 Por gjendej në të një njeri i varfër dhe i urtë, i cili me diturinë e tij e shpëtoi qytetin. Megjithatë asnjeri nuk u kujtua për këtë njeri të varfër.
16 Atëherë unë thashë: "Dituria vlen më shumë se forca; por dituria e të varfërit përbuzet dhe fjalët e tij nuk dëgjohen".
17 Fjalët e të urtëve që thuhen shtruar dëgjohen më mirë se britmat e atij që sundon mbi budallenjtë.
18 Dituria vlen më tepër se armët e luftës, por një mëkatar i vetëm shkatërron një të mirë të madhe.