Predikuesi

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12


Kapitull 10

Mizat e ngordhura e qelbin vajin e parfumierit; kështu pak marrëzi prish vlerën e diturisë dhe të lavdisë.
2 Zemra e të urtit është në të djathtë të tij, por zemra e budallait është në të majtë të tij.
3 Edhe kur budallai ecën rrugës, arsyeja i mungon dhe u tregon të gjithëve se është budalla.
4 Në qoftë se zemërimi i një mbreti ndizet kundër teje, mos e lër vendin tënd, sepse gjakftohtësia i fashit fyerjet edhe kur janë të rënda;
5 Éshtë një e keqe që kam parë nën diell, një gabim që vjen nga ai që qeveris;
6 marrëzia është vënë në detyra të larta, ndërsa të pasurit ulen në vënde të ulëta.
7 Kam parë shërbëtorë mbi kuaj dhe princa të ecin më këmbë si shërbëtorë.
8 Kush çel një gropë mund të bjerë brënda dhe kush rrëzon një mur mund të kafshohet nga një gjarpër.
9 Kush zhvendos gurë mund të plagoset dhe kush çan drutë vihet në rrezik.
10 Në qoftë se sëpata topitet dhe nuk mprehet, duhet të përdoret me më tepër forcë; por dituria ka epërsinë t'ia dalë gjithnjë mbarë.
11 Në qoftë se gjarpëri kafshon sepse nuk është magjepsur, magjistari bëhet i kotë.
12 Fjalët e gojës të të urtit janë plot hir, por buzët e budallait e shkatërrojnë.
13 Fillimi i ligjëratës së tij është budallallëk dhe fundi është marrëzi e dëmshme.
14 Edhe sikur budallai t'i shumojë fjalët e tij, njeriu nuk di se çfarë do të ndodhë; kush mund t'i thotë çfarë do të ndodhë pas tij?
15 Lodhja e budallait e rraskapit, sepse ai nuk di as si të shkojë në qytet.
16 Mjerë ti, o vend, mbreti i të cilit është një fëmijë dhe princat e tij ia shtrojnë që në mëngjes!
17 Lum ti, o vend, që ke mbret nga një soj fisnik, dhe princa që hanë në kohën e duhur për të vënë në vend forcat e tyre dhe jo për t'u dehur!
18 Për shkak të përtacisë trarët e shtëpisë rrëzohen dhe gjerbon për shkak të plogështisë së duarve.
19 Një banket shtrohet për t'u dëfryer dhe vera i jep gaz jetës, por paraja i përgjigjet çdo nevojtari.
20 Mos mallko mbretin as me mend dhe mos mallko të pasurin në dhomën tënde të fjetjes, sepse një zog i qiellit mund ta çojë larg zërin tënd, dhe një zog që fluturon mund ta bëjë të ditur këtë gjë.