I i Kronikave
Kapitull 28
Davidi mblodhi në Jeruzalem tërë krerët e Izraelit, të parët e fiseve, komandantët e divizioneve që ishin në shërbim të mbretit, komandantët e mijëshëve, komandantët e qindëshëve, administratorët
2 Pastaj mbreti David u ngrit në këmbë dhe tha: "Më dëgjoni, o vëllezër të mi dhe o populli im! Unë kisha në zemër të ndërtoja një shtëpi paqeje për arkën e besëlidhjes të Zotit, për mbështetësen e këmbëve të Perëndisë tonë, dhe kisha bërë përgatitje për ta ndërtuar.
3 Por Perëndia më tha: "Ti nuk do të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, sepse ke qenë një njeri lufte dhe ke derdhur gjak".
4 Megjithatë Zoti, Perëndia i Izraelit, më ka zgjedhur mua nga tërë shtëpia e atit tim, që të bëhem mbret i Izraelit përjetë. Në fakt ai ka zgjedhur Judën si princ, dhe në shtëpinë e Judës shtëpinë e atit tim dhe midis bijve të atit tim i ka pëlqyer të më bëjë mua mbret të të gjithë Izraelit.
5 Midis tërë bijve të mi (sepse Zoti më ka dhënë shumë fëmijë) ai ka zgjedhur birin tim Salomon, që të ulet në fronin e mbretërisë të Zotit mbi Izraelin.
6 Ai më tha: "Do të jetë biri yt Salomon ai që ka për të ndërtuar shtëpinë time dhe oborret e mia, sepse kam zgjedhur atë si djalin tim, dhe unë do të jem për atë si një baba.
7 Do ta bëj të qëndrueshme përjetë mbretërinë e tij në rast se u përmbahet në mënyrë të vendosur urdhërimeve dhe dekreteve të mia, ashtu si po bën sot".
8 Kështu, pra, përpara tërë Izraelit, asamblesë së Zotit, dhe përpara Perëndisë tonë që na dëgjon, zbatoni dhe kërkoni tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që të mund ta zotëroni këtë vend të mirë dhe t'ia lini si trashëgimi bijve tuaj mbas jush, përjetë.
9 Ti Salomon, biri im njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër dhe me shpirt vullnetmirë, sepse Zoti heton të gjitha zemrat dhe kupton tërë qëllimet e mendimeve. Në rast se ti e kërkon, ai do të të lërë ta gjesh; por në rast se ti e braktis, ai do të të hedhë poshtë përjetë.
10 Tani ki parasysh që Zoti të ka zgjedhur për të ndërtuar një shtëpi si shenjtërore; tregohu i fortë dhe futju punës!".
11 Atëherë Davidi i dha birit të tij Salomonit projektin e portikut të tempullit, të godinave të tij, të dhomave të tij, të thesareve të tij, të dhomave të sipërme, të dhomave të brendshme dhe të vendit të pajtuesit,
12 si dhe projektin e të gjitha gjërave që kishte në mendje për Frymën lidhur me oborret e shtëpisë të Zotit, me të gjitha dhomat anësore, me thesaret e shtëpisë së Perëndisë dhe me thesaret e sendeve të shenjtëruara,
13 me klasat e priftërinjve dhe të Levitëve, me tërë punën lidhur me shërbimin e shtëpisë të Zotit dhe me të gjitha veglat e nevojshme për shërbimin e shtëpisë të Zotit.
14 I dha arin duke treguar peshën e sendeve prej ari, për të gjitha veglat që përdoren në çdo lloj shërbimi, dhe argjendin duke treguar peshën e të gjitha veglave prej argjendi, për të gjitha veglat që përdoren në çdo lloj shërbimi.
15 I dha gjithashtu peshën e arit për shandanët prej ari dhe për llambat e tyre prej ari, duke treguar peshën e çdo shandani dhe të llambave të tij, dhe peshën e argjendit për shandanët prej argjendi, duke treguar peshën e çdo shandani dhe të llambave të tij, sipas përdorimit të çdo shandani.
16 I dha gjithashtu, duke treguar peshën, arin për tryezat e bukëve të paraqitjes, për çdo tryezë, dhe argjendin për tryezat prej argjendi,
17 dhe arin e kulluar për pirunët e mëdhenj, për legenët e vegjël dhe për kupat, dhe arin, duke treguar peshën për kupat prej ari, për çdo kupë, dhe argjendin, duke treguar peshën për kupat prej argjendi, për çdo kupë.
18 I dha gjithashtu ar të kulluar për altarin e temjanit, duke treguar peshën, dhe për modelin e qerres, domethënë, kerubinët prej ari që hapnin krahët dhe mbulonin arkën e besëlidhjes të Zotit.
19 "Tërë kjo", tha Davidi, "m'u dha e shkruar nga dora e Zotit, që më bëri të kuptoj tërë punimet e këtij projekti".
20 Davidi i tha pastaj të birit Salomon: "Ji i fortë dhe trim, përvishju punës, mos ki frikë dhe mos u trondit, sepse Zoti Perëndi, Perëndia im, do të jetë me ty. Ai nuk do të lërë dhe nuk do të braktisë deri sa të mbarosh tërë punën për shërbimin e shtëpisë të Zotit.
21 Dhe ja klasat e priftërinjve dhe të Levitëve për tërë shërbimin e shtëpisë së Perëndisë; përveç kësaj, për çdo punë do të kesh në dispozicion lloj lloj specialistësh vullnetmirë, në çdo veprimtari; edhe krerët edhe tërë populli do të jenë plotësisht nën urdhrat e tua".