Jozueu

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24


Kapitull 23

Shumë kohë mbas pushimit që Zoti i kishte siguruar Izraelit nga të gjithë armiqtë që e rrethonin, Jozueu, tanimë i plakur dhe me moshë të shtyrë,
2 mblodhi tërë Izraelin, pleqtë e tij, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, dhe u tha: "Unë jam plak dhe i shtyrë në moshë,
3 Ju i patë të gjitha ato që Zoti, Perëndia juaj, u ka bërë të gjitha kombeve, për shkakun tuaj, sepse ka qenë vetë Zoti, Perëndia juaj, që ka luftuar për ju.
4 Dhe ja, unë kam ndarë midis jush me short, si trashëgimi për fiset tuaja, kombet që mbeten, bashkë me tërë kombet që kam shfarosur, nga Jordani deri në Detin e Madh, në perëndim.
5 Dhe Zoti, Perëndia juaj, do t'i dëbojë ai vetë para jush; kështu ju do të shtini në dorë vendin e tyre, ashtu si ju ka premtuar Zoti, Perëndia juaj.
6 Jini, pra, shumë të vendosur në zbatimin dhe vënien në praktikë të ligjit të Moisiut, pa u shmangur as djathtas as majtas,
7 pa u përzier me kombet që mbeten midis jush; nuk do të përmendni as emrin e perëndive të tyre dhe nuk do të betoheni për ta; nuk do t'i shërbeni dhe nuk do të bini përmbys para tyre;
8 por do të lidheni ngushtë me Zotin, Perëndinë tuaj, siç keni bërë deri sot.
9 Në fakt Zoti ka dëbuar para jush kombe të mëdhenj dhe të fuqishëm; dhe askush nuk ka mundur t'ju bëjë ballë deri më sot.
10 Një i vetëm nga ju do të ndjekë njëmijë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia juaj, është ai që lufton për ju, siç e ka premtuar.
11 Tregoni, pra, kujdes të madh për shpirtrat tuaj, për ta dashur Zotin, Perëndinë tuaj.
12 Por në rast se i shmangeni dhe bashkoheni me mbeturinat e këtyre kombeve që kanë mbetur midis jush dhe bashkoheni me anë martesash me ta dhe përziheni me ta dhe ata me ju,
13 dijeni me siguri që Zoti, Perëndia juaj, nuk ka për të vazhduar t'i dëbojë këto kombe para jush; por ata do të bëhen për ju një kurth, një kamzhik në ijët tuaja dhe hala në sytë tuaja, deri sa ju të zhdukeni nga ky vend i mirë që Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë.
14 Dhe ja, unë po iki sot në rrugën e gjithë botës; pranoni, pra, me gjithë zemër e me gjithë shpirt që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e mira që Zoti, Perëndia juaj, ka thënë lidhur me ju; të tëra u vërtetuan për ju; as edhe një nuk ra për tokë.
15 Dhe ka për të ndodhur që, ashtu si për të gjitha gjërat e mira që Zoti, Perëndia juaj, ju kishte premtuar ju kanë dalë, kështu Zoti do të sjellë mbi ju tërë fatkeqësitë, deri sa t'ju zhdukë nga ky vend i mirë që Perëndia juaj, Zoti ju ka dhënë.
16 Në rast se shkelni besëlidhjen që Zoti, Perëndia juaj, ju ka urdhëruar, dhe shkoni t'u shërbeni perëndive të tjera dhe bini përmbys para tyre, atëherë zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush dhe ju do të zhdukeni shpejt nga vendi i mirë që Ai ju ka dhënë".