Jozueu
Kapitull 18
Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit u mblodh në Shiloh, dhe aty ngritën çadrën e mbledhjes. Vendi u ishte nënshtruar atyre.
2 Por kishte midis bijve të Izraelit shtatë fise, që nuk e kishin marrë akoma trashëgiminë e tyre.
3 Kështu Jozueu u tha bijve të Izraelit: "Deri kur nuk do të kujdeseni të shkoni të merrni vendin që Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju ka dhënë?
4 Zgjidhni midis jush tre burra për çdo fis dhe unë do t'i nis. Ata do të ngrihen, do ta përshkojnë vendin, do të bëjnë përshkrimin e tij në bazë të pjesës së tyre të trashëgimisë dhe pastaj do të kthehen tek unë.
5 Ata do ta ndanë në shtatë pjesë: Juda do të mbetet në territorin e tij në jug dhe shtëpia e Jozefit në territorin e tij në veri.
6 Ju do të bëni, pra, përshkrimin e vendit në shtatë pjesë; do ta sillni tek unë dhe unë do të hedh shortin për ju këtu, para Zotit, Perëndisë tonë.
7 Por Levitët nuk duhet të kenë asnjë pjesë në mes tuaj, sepse priftëria e Zotit është trashëgimia e tyre; dhe Gadi, Rubeni dhe gjysma e fisit të Manasit kanë marrë trashëgiminë e tyre matanë Jordanit në lindje, që Moisiu, shërbëtori i Zotit, u ka dhënë atyre".
8 Ata njerëz, pra, u ngritën dhe u nisën; dhe Jozueu i urdhëroi ata që niseshin për të përshkruar vendin, duke u thënë: "Shkoni, përshkoni vendin dhe bëni përshkrimin e tij; pastaj kthehuni tek unë, dhe këtu unë do të hedh shortin për ju para Zotit në Shiloh".
9 Kështu ata njerëz u nisën, e përshkuan vendin dhe bënë në një libër përshkrimin e shtatë pjesëve të tij simbas qyteteve; pastaj u kthyen tek Jozueu në kampin e Shilohut.
10 Atëherë Jozueu hodhi shortin për ta në Shiloh para Zotit dhe e ndau vendin midis bijve të Izraelit, simbas ndarjeve të tyre.
11 U hodh në short pjesa e fisit të bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre; territori që u ra në short kishte kufijtë e tij midis bijve të Judës dhe bijve të Jozefit.
12 Nga ana veriore kufiri i tyre fillonte me Jordanin, ngjitej në shpatin në veri të Jerikos, kalonte krahinën malore në drejtim të perëndimit dhe mbaronte në shkretëtirën e Beth-Avenit.
13 Që andej kufiri ngjitej në Luc, mbi shpatin në jug të Lucit (që është Betheli); pastaj zbriste në Ataroth-Adar, pranë malit që ndodhet në jug të Beth-Horonit të poshtëm.
14 Pastaj kufiri shtrihej, duke kthyer në krahun perëndimor drejt jugut të malit që ngrihej përballë Beth-Horonit, në jug, dhe mbaronte në Kirjath-Baal (që është Kiriath-Jearimi), qytet i bijve të Judës. Ky ishte krahu perëndimor.
15 Ana jugore fillonte në skajin e Kiriath-Jearimit. Kufiri zgjatej në drejtim të perëndimit deri sa prekte burimin e ujërave të Neftoahut;
16 pastaj kufiri zbriste në skajin e malit që ndodhet përballë luginës së birit të Hinomit, që është në luginën e gjigantëve, në veri, dhe zbriste nëpër luginën e Hinomit, në anën jugore të qytetit të Jebuzejve, deri në En-Rogel.
17 Pastaj kthente në drejtim të veriut dhe arrinte në En-Shemesh; shtrihej në drejtim të Gelilothit, që ndodhet përballë së përpjetës të Adumimit, dhe zbriste në gurin e Bohanit, birit të Rubenit;
18 pas kësaj kalonte në shpatin verior përballë Arabahut dhe zbriste në drejtim të tij.
19 Kufiri kalonte pastaj nga shpati verior i Beth-Hoglahut dhe mbaronte në kepin verior të Detit të Kripur, në skajin jugor të Jordanit. Ky ishte kufiri në jug.
20 Jordani shërbente si kufi nga ana lindore. Kjo ishte trashëgimia e bijve të Beniaminit në bazë të kufijve rreth e qark, simbas familjeve të tyre.
21 Qytetet e fiseve të bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre, ishin Jeriko, Beth-Hoglahu, Emek-Ketsitsi,
22 Beth-Arabahu, Tsemaraimi, Betheli,
23 Avimi, Parahu, Ofrahu,
24 Kefar-Haamoni, Ofni dhe Geba: dymbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre;
25 Gabaoni, Ramahu, Beerothi,
26 Mitspehu, Kefirahu, Motsahu,
27 Rekemi, Irpeeli, Taralahu,
28 Tselahu, Efeli, Gebusi (që është Jeruzalemi), Gibeathi dhe Kirjathi: katërmbëdhjetë qytete me gjithë fshatrat e tyre. Kjo që trashëgimia e bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre.