Ligji i Përtërirë

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34


Kapitull 13

"Në rasat se midis jush del një profet apo një ëndërrimtar dhe ju propozon një shenjë apo një mrekulli,
2 dhe shenja apo mrekullia për të cilën ju foli realizohet dhe ai thotë: "Le të shkojmë pas perëndive të tjera që ti nuk i ke njohur kurrë dhe le t'u shërbejmë",
3 ti nuk do të dëgjosh fjalët e këtij profeti apo të këtij ëndërrimtari, sepse Zoti, Perëndia juaj, ju vë në provë për të ditur në se e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.
4 Do të shkoni pas Zotit, Perëndisë tuaj, do të keni frikë nga ai, do të respektoni urdhërimet e tij, do t'i bindeni zërit të tij, do t'i shërbeni dhe do të jeni të lidhur ngushtë me të.
5 Por ai profet ose ai ëndërrimtar do të vritet, sepse ka folur në mënyrë që t'ju largojë nga Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit dhe ju çliroi nga shtëpia e skllavërisë, për t'ju çuar jashtë rrugës në të cilën Zoti, Perëndia yt, të ka urdhëruar të ecësh. Në këtë mënyrë do të shkulësh të keqen nga gjiri yt.
6 Në rast se vëllai yt, bir i nënës sate, biri yt ose bija jote, gruaja që prehet mbi gjirin tënd apo shoku që ti e do si shpirtin tënd të nxit fshehtazi, duke thënë: "Shkojmë t'u shërbejmë perëndive
7 hyjnive të popujve që ju rrethojnë, që janë pranë apo larg teje, nga një skaj i tokës deri në skajin tjetër të tokës,
8 mos iu nënshtro atij dhe mos e dëgjo; syri yt nuk duhet të ketë mëshirë për të; mos e kurse, mos e fsheh.
9 Por ti duhet ta vrasësh; dora jote të jetë e para që të ngrihet kundër tij, për ta vrarë; pastaj le të vijë dora e gjithë popullit.
10 Ti do ta vrasësh me gurë dhe ai do të vdesë, sepse ka kërkuar të të largojë nga Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë.
11 Kështu tërë Izraeli do ta dëgjojë këtë ngjarje dhe do të ketë frikë, e nuk ka për të kryer më asnjë veprim të keq si ky në gjirin tënd.
12 Në qoftë se një ndër qytetet e tua që Zoti, Perëndia yt, të jep për të banuar, dëgjon të thuhet
13 që njerëz të çoroditur kanë dalë nga gjiri juaj dhe kanë mashtruar banorët e qytetit të tyre duke thënë: "Shkojmë t'u shërbejmë perëndive të tjera", që ju nuk i keni njohur kurrë,
14 ti do të bësh hetime, kërkime dhe do të marrësh me kujdes në pyetje; dhe në qoftë se është e vërtetë dhe e sigurt që ky veprim i neveritshëm është kryer me të vërtetë në gjirin tënd,
15 atëherë do të vrasësh me shpatën tënde banorët e atij qyteti, duke vendosur shfarosjen e tij dhe gjithçka që ndodhet në të; do të vrasësh edhe bagëtinë e tij.
16 Pastaj do të mbledhësh tërë plaçkën e tij në mes të sheshit dhe do ta djegësh me zjarr qytetin dhe tërë plaçkën e tij përpara Zotit, Perëndisë tuaj; ajo do të mbetet një grumbull gërmadhash për gjithnjë dhe nuk do të rindërtohet më kurrë.
17 Prandaj asgjë nga ato që janë caktuar të shkatërrohen të mos ju ngjitet në dorë, me qëllim që Zoti të heqë dorë nga zjarri i zemërimit të tij dhe të tregohet i dhimshur t'i vijë keq për ty dhe të të shumëzojë, ashtu siç u është betuar etërve tuaj,
18 sepse ti e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar të gjitha urdhërimet e tij që po të përcakton sot duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë tuaj".