Ligji i Përtërirë
Kapitull 12
"Këto janë statutet dhe dekretet që duhet të keni kujdes të respektoni në vendin që Zoti, Perëndia i etërve të tu, të ka dhënë si trashëgimi për të gjitha ditët që do të jetoni mbi tokë.
2 Do të shkatërroni tërësisht të gjitha vendet ku kombet që jetoni duke përzënë u shërbejnë perëndive të tyre; mbi malet e larta, mbi kodrat dhe nën çdo pemë që gjelbëron.
3 Do të rrënoni altarët e tyre, do të copëtoni kolonat e tyre të shenjta, do t'u vini flakën Asherimëve të tyre, do të rrëzoni shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të tyre, do të zhdukni emrin e tyre nga këto vende.
4 Nuk do të veproni kështu me Zotin, Perëndinë tuaj,
5 por do ta kërkoni në vendin që Zoti, Perëndia juaj, do të zgjedhë midis tërë fiseve tuaj, për t'iu vënë emrin e tij si banesë e tij; dhe aty do të shkoni;
6 aty do të çoni olokaustet dhe flijimet tuaja, të dhjetat tuaja, ofertat e larta të duarve tuaja, ofertat tuaja të kushtimit dhe ofertat vullnetare, si dhe të parëlindurit e bagëtive të trasha dhe të imta;
7 dhe aty do të hani përpara Zotit, Perëndisë tuaj, dhe do të gëzoheni, ju dhe familjet tuaja, për të gjitha ato që keni shtënë në dorë dhe për të cilat Zoti, Perëndia juaj, do t'ju bekojë.
8 Nuk do të veproni ashtu siç veprojmë sot këtu, ku secili bën të gjitha ato që i duken të drejta në sytë e tij,
9 sepse nuk keni hyrë akoma në pushimin dhe në trashëgiminë që Zoti, Perëndia juaj, ju jep.
10 Por ju do të kaloni Jordanin dhe do të banoni në vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep në trashëgimi; dhe ai do t'ju japë pushim nga të gjithë armiqtë tuaj që ju rrethojnë dhe ju do të keni një banim të sigurt.
11 Atëherë do të ketë një vend ku Zoti, Perëndia juaj, do të zgjedhë për të venduar emrin e tij dhe aty do të çoni tërë ato që unë ju urdhëroj: olokaustet tuaja, flijimet tuaja, të dhjetat tuaja, ofertat e larta të duarve tuaja dhe të gjitha ofertat e zgjedhura që i keni premtuar si kusht Zotit.
12 Dhe do të gëzoheni përpara Zotit, Prëndisë tuaj, ju, bijtë dhe bijat tuaja, shërbëtorët dhe shërbëtoret tuaja, dhe Leviti që do të banojë brenda portave tuaja, sepse ai nuk ka as pjesë, as trashëgimi midis jush.
13 Ki kujdes të mos ofrosh olokaustet e tua në çdo vend që sheh;
14 por në vendin që Zoti do të zgjedhë në një nga fiset e tua, atje do të ofrosh olokaustet e tua dhe aty do të bësh çdo gjë që unë të urdhëroj.
15 Por sa herë që të duash, mund të vrasësh kafshë dhe të hash mishin e tyre në të gjitha qytetet, simbas bekimit që të ka bërë Zoti; atë mund ta hanë si i papastri, ashtu dhe i pastri, siç bëhet me mishin e gazelës dhe të drerit;
16 por nuk do të hani gjakun e tyre; do ta derdhni mbi tokë siç derdhet uji.
17 Brenda qyteteve të tua nuk mund të hash të dhjetat e grurit tënd, të mushtit tënd, të vajit tënd, as pjellën e parë të bagëtive të tua të trasha dhe të imta, as atë që ke premtuar si zotim as në ofertat e tua vullnetare, as në ofertat e larta të duarve të tua.
18 Por do t'i hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka për të zgjedhur, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, dhe Leviti që do të banojë brenda portave të tua; dhe do të gëzosh përpara Zotit, Perëndisë tënd, çdo gjë mbi të cilën ti vë dorë.
19 Ki kujdes të mos shpërfillësh Levitin, deri sa të jetosh në atë vend.
20 Kur Zoti, Perëndia yt, do t'i zgjerojë kufijtë e tu, ashtu si të ka premtuar, dhe ti do të thuash: "Do të ha mish", sepse ke dëshirë të hash mish, do të mund të hash mish sa herë që e dëshiron.
21 Në qoftë se vendi që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të venduar emrin e tij do të jetë larg teje, mund të vrasësh kafshë nga bagëtia e trashë dhe e imët, ashtu si të kam urdhëruar; dhe mund të hash brenda portave të tua sa herë të duash.
22 Vetëm do ta hash ashtu siç hahet mishi i gazelës dhe i drerit; do të mundë ta hajë si i papastri ashtu edhe i pastri.
23 Por ruhu se ha gjakun, sepse gjaku është jeta; dhe ti nuk do ta hash jetën bashkë me mishin.
24 Nuk do ta hash, por do ta derdhësh për tokë ashtu siç bëhet me ujin.
25 Nuk do ta hash me qëllim që të përparosh ti dhe bijtë e tu mbas teje, pse keni bërë një gjë që është e drejtë në sytë e Zotit.
26 Por gjërat e shenjta që ke për të ofruar dhe ato të premtuara si kusht, do t'i marrësh dhe do të shkosh në vendin që ka zgjedhur Zoti,
27 dhe do të ofrosh olokaustet e tua, të plota, mishin dhe gjakun mbi altarin e Zotit, Perëndisë tënd; gjaku i flijimeve të tua përkundrazi do të shpërndahet mbi altarin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe ti do të hash mishin e tyre.
28 Ki kjdes dhe bindju të gjitha fjalëve që të urdhëroj, që të përparosh ti dhe bijtë e tu pas teje, pse keni bërë atë që është e mirë dhe e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë tënd.
29 Kur Zoti, Perëndia yt, do të ketë shfarosur para teje kombet që ti shkon për t'i shpronësuar, dhe kur t'i kesh shpronësuar dhe të banosh në vendin e tyre,
30 ruhu të mos biesh në kurthin e ngritur, duke ndjekur shembullin e tyre, pasi ata janë shkatërruar para teje, dhe të informohesh mbi perënditë e tyre, duke thënë: "Si u shërbenin këto kombe perëndive të tyre? Edhe unë do të veproj kështu".
31 Ti nuk do të veprosh kështu me Zotin, me Perëndinë tënd, sepse ata me perënditë e tyre kanë bërë tërë ato gjëra të neveritshme për Zotin dhe që ai i urren; kanë djegur madje në zjarr bijtë dhe bijat e tyre për nder të perëndive të tyre.
32 Do të kujdeseni të zbatoni në praktikë tërë gjërat që ju urdhëroj; nuk do t'u shtoni as do t'u hiqni asgjë".