Martesa dhe seksi


  • Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. 22 Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. 23 Dhe njeriu tha: "Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri". 24 Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.
    Zanafilla 2:21-24
  • Por Adami njohu Evën, gruan e tij, e cila u ngjiz dhe lindi Kainin, dhe ai tha: "Fitova një burrë nga Zoti". ...Pastaj Adami njohu përsëri gruan e tij, që lindi një djalë dhe e quajti Seth, sepse ajo tha: "Perëndia më dha një tjetër pasardhës në vend të Abelit, që u vra nga Kaini".
    Zanafilla 4:1, 25
  • Por Zoti e goditi Faraonin dhe shtëpinë e tij me fatkeqësira të mëdha për shkak të Sarajt, gruas së Abramit.
    Zanafilla 12:17-18
  • Por Saraj, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë asnjë fëmijë. Ajo kishte një shërbyese egjiptase që quhej Agar. Kështu Saraj i tha Abramit: "Ja, Zoti më ka ndaluar të kem fëmijë; oh, futu te shërbysja ime, ndofta mund të kem fëmijë prej saj". Dhe Abrami dëgjoi zërin e Sarajt. Kështu pra Saraj, gruaja e Abramit, mbasi ky i fundit kishte banuar dhjetë vjet në vendin e Kanaanëve, mori shërbyesen e saj Agarin, egjiptasen, dhe ia dha për grua burrit të saj Abramit.
    Zanafilla 16:1-3
  • Dhe ai tha: "Do të kthehem me siguri vitin e ardhshëm te ti në po këtë kohë; dhe ja Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë". Dhe Sara dëgjonte në hyrje të çadrës, që ishte prapa tij.
    Zanafilla 18:10-12
  • Por Onani, duke ditur se këta pasardhës nuk kishin për të qënë të vetët, kur bashkohej me gruan e të vëllait, e hidhte farën e tij përtokë për të mos i dhënë pasardhës vëllait të tij. Kjo nuk i pëlqeu Zotit, që e bëri të vdesë edhe atë.
    Zanafilla 38:9-10
  • Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.
    Eksodi 20:14
  • Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd".
    Eksodi 20:17
  • Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e gruas së atit tënd; ajo është lakuriqësia e atit tënd.
    Levítivo 18:8, 20
  • Në rast se ndonjëri shkel kurorën me gruan e një tjetri, në qoftë se shkel kurorën me gruan e fqinjit të tij, shkelësi dhe shkelësja e kurorës do të dënohen me vdekje. Në qoftë se dikush ka marrëdhënie seksuale me një burrë ashtu si ato që bëhen me një grua, që të dy kanë kryer një degjenerim të neveritshëm, do të dënohen pa tjetër me vdekje; gjaku i tyre do të bjerë mbi ta.
    Levítivo 20:10, 13
  • Nuk do të marrin për grua një kurvë, as edhe një grua faqenxirë; nuk do të marrin një grua të ndarë nga burri, sepse janë të shenjtë ndaj Perëndisë së tyre.
    Levítivo 21:7
  • Do të marrë për grua një virgjëreshë. Nuk do të marrë as grua të ve, as të ndarë nga burri, as grua faqenxirë, as kurvë; por do të marrë për grua një virgjëreshë nga populli i tij.
    Levítivo 21:13-14
  • Ky është ligji për xhelozinë, në rastin kur gruaja, duke qenë e martuar me një burrë, merr rrugë të keqe dhe fëlliqet, ose në rastin kur ndjenja e xhelozisë e zë një burrë dhe ky bëhet xheloz për gruan e tij; ai do ta paraqesë gruan e tij para Zotit dhe prifti do të zbatojë me të plotësisht këtë ligj.
    Numrat 5:29-30
  • Në qoftë se një burrë martohet me një grua, hyn tek ajo dhe pastaj fillon ta urrejë, dhe e padit për gjëra të turpshme dhe i nxjerr një nam të keq, duke thënë: "Mora këtë grua, por kur iu afrova nuk gjeta tek ajo shenjat e virgjërisë", babai dhe nëna e së resë do të marrin shenjat e virgjërisë së saj dhe do t'ua tregojnë pleqve të qytetit, te porta; dhe babai i së resë do t'u thotë pleqve: "Unë ia dhashë time bijë për grua këtij burri, por ai filloi ta urrejë, dhe tani e akuzon për gjëra të turpshme, duke thënë: Nuk gjeta tek jote bijë shenjat e virgjërisë; por këto janë shenjat e virgjërisë të bijës sime". Dhe do të shpalosin çarçafin përpara pleqve të qytetit.
    Ligji i Përtërirë 22:13-17
  • "Kur një njeri merr një grua dhe martohet me të, dhe më vonë ndodh që ajo nuk e kënaq më, sepse ai ka gjetur në të diçka të turpshme, le të shkruajë një shkresë ndarjeje, t'ia japë në dorë dhe ta dëbojë nga shtëpia e saj;
    Ligji i Përtërirë 24:1
  • Pastaj Davidi ngushëlloi Bath-Shebën, bashkëshorten e tij, hyri tek ajo dhe ra në shtrat me të; kështu ajo lindi një djalë, që ai e quajti Solomon; dhe Zoti e deshi.
    2 Samuel 12:24
  • Abijahu përkundrazi u bë i fuqishëm, mori katërmbëdhjetë gra dhe pati njëzet e dy djem dhe gjashtëmbëdhjetë vajza.
    2 Kronikave 13:21
  • Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!
    Psalmet 128:3
  • Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate.
    Fjalët e urta 5:18-19
  • Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
    Fjalët e urta 6:29
  • Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij.
    Fjalët e urta 6:32
  • Kush ka gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti.
    Fjalët e urta 18:22
  • Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mënçur vjen nga Zoti.
    Fjalët e urta 19:14
  • Éshtë më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.
    Fjalët e urta 21:9
  • Gëzoje jetën me gruan që do për të gjitha ditët e jetës tënde të kotësisë, që ai të ka dhënë nën diell për të gjitha ditët e kotësisë, sepse kjo është pjesa që të takon në jetë dhe në mundin që kryen nën diell.
    Predikuesi 9:9
  • Më puth me të puthurat e gojës së vet! Sepse dashuria jote është më e mirë se vera.
    Kantiku i Kantikëve 1:2
  • Dora e tij e majtë është poshtë kokës sime, dora e tij e djathtë më përqafon.
    Kantiku i Kantikëve 2:6
  • Të dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjël, binjake të gazelave, që kullosin midis zambakëve. ... Ti më ke rrëmbyer zemrën, o motra ime, nusja ime; ti më ke rrëmbyer zemrën me një shikim të vetëm të syve të tu, me një gushore të vetme të qafës sate. Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote dhe aroma e vajrave të tua të parfumuara është më e këndshme se gjithë aromat!
    Kantiku i Kantikëve 4:5, 9, 10
  • Ngazëllo, o shterpë, që nuk lindje; shpërthe në britma të larta gëzimi, ti që nuk provoje dhembjet e lindjes! Sepse fëmijët e së shkretës do të jenë më të shumtë se fëmijët e gruas së martuar, thotë Zoti.
    Isaia 54:1
  • "Kthehuni, o bij të përdalë", thotë Zoti, "sepse unë kam pushtet mbi ju. Do t'ju marr një në çdo qytet dhe dy nga çdo familje dhe do t'ju çoj përsëri në Sion.
    Jeremia 3:14
  • Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se paratë e tua janë shkapërderdhur dhe lakuriqësia jote është zbuluar në kurvërimet e tua me dashnorët e tu dhe me tërë idhujt e tu të neveritshëm dhe për shkak të gjakut të bijve të tu që u ke ofruar atyre, ja, unë do të mbledh tërë dashnorët e tu me të cilët ke bërë qejf, të gjithë ata që ke dashuruar bashkë me ata që ke urryer; do t'i mbledh nga çdo anë kundër teje dhe do të zbuloj para tyre lakuriqësinë tënde, me qëllim që ata të shohin gjithë lakuriqësinë tënde.
    Ezekieli 16:36-37
  • Kur Zoti filloi t'i flasë Oseas, Zoti i tha atij: "Shko, merr për grua një prostitutë dhe ki fëmijë të kurvërisë, sepse vendi po kurvërohet duke u larguar nga Zoti".
    Osea 1:2
  • Protestoni kundër nënës suaj, protestoni, sepse ajo nuk është gruaja ime dhe unë nuk jam burri i saj. Le të heqë nga fytyra e saj shenjat e prostitucioneve të saj dhe shenjat e shkeljeve të kurorës nga sisët e saj;
    Osea 2:2
  • Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t'i japë letrën e ndarjes". Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën.
    Mateu 5:31-32
  • Dhe tha: "Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm". Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë''.
    Mateu 19:5-6
  • ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde''.
    Mateu 19:29
  • duke thënë: ''Mësues, Moisiu ka thënë: "Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t'i lindur trashëgimtarë vëllait të tij. ...Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.
    Mateu 22:24, 30
  • Ata thanë: ''Moisiu ka lejuar të shkruhet letra e shkurorëzimit dhe ta lësh gruan''. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj ai e shkroi atë rregull; por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër. Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!''.
    Marku 10:4-9
  • Po ashtu, nëse gruaja lë burrin e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën.
    Marku 10:12
  • Aty ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisit i Aserit, e cila ishte shumë e kaluar në moshë, që kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin.
    LLUKA 2:36
  • ''Kur je ftuar në dasmë, mos u ul në krye të vendit, sepse ai njeri mund të ketë ftuar një tjetër që është më i rëndësishëm se ti,
    LLUKA 14:8
  • Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.
    LLUKA 17:27
  • Jezusi atëherë u ngrit dhe, duke mos parë tjetër përveç gruas, i tha: ''O grua, ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?''. Dhe ajo u përgjigj: ''Askush, Zot''. Atëherë Jezusi i tha: ''As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më''.
    GJONI 8:10-11
  • Sepse gruaja e martuar është e lidhur nga ligji me burrin deri sa ai rron, por, po i vdiq burri, lirohet nga ligji i burrit. Prandaj, nëse, kur i rron burri, ajo bashkohet me një burrë tjetër, do të quhet shkelëse e kurorës; por kur i vdes burri ajo është e liruar nga ligji, që të mos jetë shkelëse e kurorës, po u bë gruaja e një burrë tjetër.
    ROMAKEVE 7:2, 3
  • Kudo po dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që as nuk zihet në gojë ndër paganë, saqë një shkon me gruan e babait të vet. Dhe ju u krekosët e madje nuk vajtuat, që të hiqet nga mesi juaj ai që ka kryer një punë të tillë.
    1 KORINTASVE 5:1, 2
  • A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
    1 KORINTASVE 6:9-10
  • Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë; por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin. Tani Perëndia siç e ringjalli Zotin kështu do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e tij.
    1 KORINTASVE 6:13, 14
  • Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet. A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.
    1 KORINTASVE 6:18-20
  • Tani lidhur me ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua. Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet.
    1 KORINTASVE 7:1, 2
  • Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja. Mos ia privoni njëri-tjetrit, rveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t'i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetkontrollit tuaj.
    1 KORINTASVE 7:3-5
  • Por të pamartuarve dhe grave të veja po u them se për ta është mirë nëse qëndrojnë si unë, por në qoftë se s'kanë vetkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh se të digjesh. Kurse të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri, dhe në qoftë se ndahet, të mbetet e pamartuar, ose të pajtohet me burrin e saj. Dhe burri të mos e lërë gruan.
    1 KORINTASVE 7:8-11
  • sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë.
    1 KORINTASVE 7:14
  • Dhe unë dëshiroj që ju të jeni pa merak. I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t'i pëlqejë Zotit; por i martuari merakoset për gjërat e botës, si mund t'i pëlqejë gruas së tij. Ka dallim gruaja nga virgjëresha; e pamartuara kujdeset për gjërat e Zotit që të jetë e shenjtë në trup e në frymë, kurse e martuara kujdeset për gjërat e botës, si mund t'i pëlqejë burrit.
    1 KORINTASVE 7:32-34
  • Gruaja është e lidhur për sa kohë rron burri i saj; por, në qoftë se i vdes burri, ajo është e lirë të martohet me cilin të dojë, veçse kjo punë të bëhet në Zotin.
    1 KORINTASVE 7:39
  • Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
    GALATASVE 5:19-21
  • Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush;
    EFESIANEVE 5:3
  • Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit, sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit. Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë. Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të, që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të ti-llë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme. Kështu burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten. Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën, sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij. “Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm.” Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën. Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.
    EFESIANEVE 5:22-33
  • Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari;
    KOLOSIANEVE 3:5
  • Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria; që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder, jo me pasione epshi, si johebre që nuk e njohin Perëndinë,
    1 SELANIKASVE 4:3-5
  • për kurvarët, për homoseksualët, për grabitësit, për rremët, për ata që shkelin betimin, për çdo gjë tjetër që bie në kundërshtim me doktrinën e shëndoshë,
    1 TIMOTEUT 1:10
  • Duhet, pra, që peshkopi të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje të vetme, të jetë i përmbajtur, i arsyeshëm, i matur, mikpritës, i zoti të mësojë të tjerët, ...Dhjakët të jenë bashkëshortë të një gruaje të vetme, t’i drejtojnë mirë fëmijët dhe familjet e veta.
    1 TIMOTEUT 3:2, 12
  • secili prej tyre të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje të vetme, të ketë fëmijë besimtarë, që të mos përfliten për jetë të shthurur dhe për pandëgjesë.
    TITIT 1:6
  • Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.
    HEBRENJTE 13:4
  • Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si një enë më delikate dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.
    1 PJETRI 3:7
  • Por kam disa gjëra kundër teje, sepse ti e lejon gruan Jezabel, që e quan veten profeteshë, të mësojë dhe t’i mashtrojë shërbëtorët e mi të kurvërojnë dhe të hanë gjëra të flijiuara idhujve.
    ZBULESA 2:20
  • dhe ata nuk u penduan nga vrasjet e tyre, as nga magjia e tyre, as nga kurvërimi i tyre dhe as nga vjedhjet e tyre.
    ZBULESA 9:21
  • sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij! Ai në fakt gjykoi laviren e madhe, që e prishi dheun me kurvërinë e saj, dhe mori hak për gjakun e shërbëtorëve të vet të derdhur prej dorës së saj.”
    ZBULESA 19:2