HEBRENJTE - Hebrew
Kapitull 7
Sepse ky Melkisedeku, mbret i Salemit dhe prift i Shumë të Lartit Perëndi, i doli përpara Abrahamit, kur po kthehej nga disfata e mbretërve dhe e bekoi;
2 dhe Abrahami i dha atij edhe të dhjetën e të gjithave. Emri i tij do të thotë më së pari "mbreti i drejtësisë," dhe pastaj edhe "mbreti i Salemit," domethënë "mbreti i paqes".
3 Pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh as fund jete, por i përngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim.
4 Merrni me mend, pra, sa i madh ishte ky, të cilit Abrahami i dha të dhjetën e plaçkës.
5 Edhe ata nga bijtë e Levit që marrin priftërinë kanë porosi sipas ligjit të marrin të dhjetën nga populli, pra, nga vëllezërit e tyre, megjithse edhe ata kanë dalë nga mesi i Abrahamit;
6 ndërsa ky, Melkisedeku, ndonëse nuk e kishte gjenealogjinë prej atyre, mori të dhjetën nga Abrahami dhe bekoi atë që kishte premtimet.
7 Dhe s’ka kundërshtim se më i vogli bekohet nga më i madhi.
8 Veç kësaj ata që i marrin të dhjetat janë njerëzit që vdesin, kurse atje i merr ai për të cilin dëshmohet se rron.
9 Dhe, që të them kështu, vetë Levi, që merr të dhjetat, dha të dhjeta te Abrahami,
10 sepse ishte ende në mesin e t’et, kur Melkisedeku i doli përpara.
11 Sepse, po të ishte përkryerja me anë të priftërisë levitike (sepse populli e mori ligji nën atë), ç’nevojë kishte të dilte një prift tjetër sipas rendit të Melkisedekut dhe të mos caktohet sipas rendit të Aaronit?
12 Sepse, po të ndërrohet priftëria, domosdo ndërrohet edhe ligji.
13 Sepse ai për të cilin bëhet fjalë i përket një fisi tjetër, prej të cilit askush nuk i ka shërbyer ndonjëherë altarit;
14 sepse dihet se Perëndia ynë lindi nga fisi i Judës, për të cilin Moisiu nuk tha asgjë lidhur me priftërinë.
15 Dhe kjo bëhet edhe më e qartë, në qoftë se del një prift tjetër pas shëmbëllimit të Melkisedekut,
16 që nuk u bë i tillë në bazë të ligjit të porosisë së mishit, po në bazë të fuqisë të jetës së pashkatërrueshme.
17 Sepse Shkrimi dëshmon: “Ti je prift për jetë të jetës, sipas rendit të Melkisedekut.”
18 Në këtë mënyrë bie poshtë urdhërimi i mëparshëm, për shkak të dobësisë dhe të padobisë së tij,
19 sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë.
20 Dhe kjo nuk u bë pa betim. Sepse ata bëheshin priftërinj pa bërë betim,
21 (ndërsa ky në bazë të betimit nga ana e atij që i tha: “Perëndia u betua dhe nuk do të pendohet: Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut”).
22 Kështu Jezusi u bë garant i një besëlidhjeje shumë më të mirë.
23 Për më tepër ata qenë bërë priftërinj në numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithnjë,
24 kurse ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme,
25 prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.
26 Sepse ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej,
27 i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten.
28 Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, por fjala e betimit, që vjen pas ligjit, vë Birin që është i përkryer në jetë të jetës.