I KORINTASVE

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16


Kapitull 2

Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju, nuk erdha me shkëlqim fjalësh a diturie, që t'ju shpall dëshminë e Perëndisë,
2 sepse e vendosa që të mos di tjetër gjë ndër ju, veç Jezu Krishtit edhe atë të kryqëzuar.
3 Edhe unë kam qenë te ju me dobësi, me frikë dhe drithërimë të madhe.
4 Dhe fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë mbushamendëse nga dituria njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë,
5 që besimi juaj të mos qëndrojë mbi diturinë e njerëzve, po mbi fuqinë e Perëndisë.
6 Dhe ne flasim dituri në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë,
7 por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë,
8 të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.
9 Por, sikurse është shkruar: ''Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë''.
10 Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë.
11 Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu asnjëri s'i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë.
12 Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.
13 Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore.
14 Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t'i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.
15 Por njeriu që është frymëror gjykon çdo gjë dhe vetë nuk është i gjykuar nga asnjeri.
16 Sepse kush e ka njohur mendjen e Zotit që mund të mësojë atë? Por ne kemi mendjen e Krishtit.