MARKU

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16


Kapitull 3

Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë.
2 Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin.
3 Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: ''Çohu në mes të të gjithëve!''.
4 Dhe u tha atyre: ''A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?''. Por ata heshtnin.
5 Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra.
6 Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin.
7 Por Jezusi me dishepujt e vet u tërhoq drejt detit; dhe një turmë e madhe nga Galilea i ndoqi; edhe nga Judea;
8 dhe nga Jeruzalemi, nga Idumea, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat Etiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e medha që ai bënte, erdhi tek ai.
9 Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati një barkë, që populli mos e shtynte.
10 Sepse ai kishte shëruar shumë veta, të gjithë që kishin sëmundje dyndeshin rreth tij që ta preknin.
11 Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: ''Ti je Biri i Perëndisë!''.
12 Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thonin se kush ishte ai.
13 Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai.
14 Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t'i dërgonte të predikojnë,
15 dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët.
16 Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër;
17 Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vë-llai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: "Bij të bubullimës";
18 Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon Kananeasi,
19 dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhëtoi.
20 Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s'mund të hanin.
21 Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: ''Nuk është në vete''.
22 Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshnin: ''Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve''.
23 Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: ''Si mund Satanai të dëbojë Satananë?
24 Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.
25 Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë.
26 Kështu, në se Satanai ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi!
27 Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t'ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë.
28 Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t'u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë;
29 po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm''.
30 Sepse ata thoshnin: ''Ai ka një frymë të ndyrë!''.
31 Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin.
32 Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: ''Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë''.
33 Por ai u përgjigj atyre duke thënë: ''Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?''.
34 Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: ''Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!
35 Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!''.