MATEU

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28


Kapitull 21

Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj,
2 duke u thënë atyre: ''Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m'i sillni!
3 Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t'i kthejë shpejt''.
4 Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç'ishtë thënë nga profeti, që thotë:
5 ''I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë''.
6 Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi.
7 Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi.
8 Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë.
9 Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: ''Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!''.
10 Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: ''Kush është ky?''.
11 Dhe turmat thonin: ''Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë.
12 Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.
13 Dhe u tha atyre: ''Éshtë shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje", por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh''.
14 Atëherë iu paraqitën të verbër dhe të çalë, dhe ai i shëroi.
15 Por krerët e priftërinjve dhe skribët, kur panë mrekullitë që ai kishte bërë dhe fëmijët që brohoritnin në tempull duke thënë: ''Hosana Birit të Davidit!'', u zemëruan,
16 dhe i thanë: ''A po dëgjon ti çfarë thonë këta?''. Jezusi u tha atyre: ''Po! A nuk keni lexuar kurrë: "Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi"?''.
17 Dhe, mbasi i la ata, doli nga qyteti për në Betani, dhe atje kaloi natën.
18 Në mëngjes, kur po kthehej në qytet e mori uria.
19 Dhe gjatë rrugës pa një fik dhe iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve; dhe i tha: ''Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetë!''. Dhe fiku u tha menjëherë.
20 Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: ''Qysh u tha fiku në çast?''.
21 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t'i thoni këtij mali: "Hiqu andej dhe hidhu në det", kjo do të ndodhë.
22 Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni''.
23 Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: ''Me ç'pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?''.
24 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Edhe unë do t'ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t'ju them me ç'pushtet i kryej këto gjëra.
25 Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?''. Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: ''Po t'i themi nga qielli, do të na thotë: "Përse atëhërë nuk i besuat?".
26 Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet''.
27 Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: ''Nuk e dimë''. Atëhërë ai u tha atyre: ''As unë nuk do t'ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra".
28 ''Ç'mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: "Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim";
29 por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi.
30 Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj", por nuk shkoi.
31 Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?''. Ata i thanë: ''I pari''. Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.
32 Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t'i besuar''.
33 ''Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj.
34 Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij,
35 por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.
36 Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.
37 Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!".
38 Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij".
39 Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë.
40 Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?''.
41 Ata i thanë: ''Ai do t'i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t'ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t'i japin prodhimet në kohën e vet''.
42 Jezusi u tha atyre: ''A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: "Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë"?
43 Prandaj unë po ju them se juve do t'ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t'i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.
44 Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copëcopë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar''.
45 Dhe krerët e priftërinjve dhe farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e kuptuan se po fliste për ta.
46 Dhe kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat, sepse ato e konsideronin profet.