Zakaria
Kapitull 8
Fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua përsëri, duke thënë:
2 Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë jam shumë xheloz për Sionin, po, unë digjem nga xhelozia për të".
3 Kështu thotë Zoti: "Unë do të kthehem në Sion dhe do të banoj në mes të Jeruzalemit. Jeruzalemin do ta quajnë Qytet të besnikërisë dhe malin e Zotit të ushtrive, mal të shenjtërisë".
4 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Nëpër sheshet e Jeruzalemit do të ulen akoma pleq e plaka, secili me shkopin e vet në dorë për shkak të moshës së shtyrë.
5 Sheshet e qytetit do të jenë plot e përplot me djem dhe vajza që do të lozin në sheshet e tij".
6 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në se kjo duket shumë e vështirë në sytë e atyre që kanë mbetur nga ky popull ndër këto ditë, a do të jetë gjithashtu tepër e vështirë për sytë e mi?", thotë Zoti i ushtrive.
7 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do ta shpëtoj popullin tim nga vendi i lindjes dhe nga vendi i perëndimit.
8 Unë do t'i bëj të vijnë dhe ata do të banojnë në Jeruzalem; ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre me besnikëri dhe drejtësi".
9 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Duart tuaja le të jenë të fuqishme, ju që dëgjoni në këto ditë këto fjalë nga goja e profetëve që ishin në kohën kur po hidheshin themelet e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mund të rindërtohej tempulli.
10 Përpara asaj kohe nuk kishte pagesë për njeriun dhe pagesë për kafshët; nuk kishte fare siguri për këdo që shkonte ose vinte për shkak të armikut; unë vet, pra, i vija gjithë njerëzit kundër njeri tjetrit.
11 Por tani nuk do të jem më me ata të mbeturit nga ky popull siç kam qenë në kohërat e shkuara", thotë Zoti i ushtrive.
12 "Sepse do të ketë një farë paqeje: hardhia do të japë frytin e vet, toka do të japë prodhimet e veta dhe qiejt do t'u japin vesën e tyre. Do t'i bëj ata të mbeturit nga ky popull të kenë zotërimin e të gjitha këtyre gjërave.
13 Dhe do të ndodhë që, ashtu si ishit një mallkim midis kombeve, o shtëpi e Judës dhe shtëpi e Izraelit, kështu, kur t'ju shpëtoj, do të jeni një bekim. Mos u trembni, duart tuaja le të jenë të fuqishme!".
14 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ashtu si vendosa t'ju bëj keq kur etërit tuaj më provokuan zemërimin", thotë Zoti i ushtrive, "dhe nuk u pendova,
15 kështu, këto ditë kam vendosur rishtas t'i bëj mirë Jeruzalemit dhe shtëpisë së Judës. Mos u trembni!
16 Këto janë gjërat që duhet të bëni: i flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij, në portat tuaja jepni gjykime me vërtetësi, drejtësi dhe paqe.
17 Askush të mos kurdisë në zemër të vet ndonjë të keqe kundër të afërmit të vet dhe mos pëlqeni betimin e rremë, sepse të gjitha këto gjëra unë i urrej, thotë Zoti".
18 Fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua përsëri, duke thënë:
19 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Agjërimi i muajit të katërt, agjërimi i të pestit, agjërimi i të shtatit dhe agjërimi i të dhjetit do të bëhen për shtëpinë e Judës një periudhë gëzimi, hareje dhe festash të gëzuara; prandaj duajeni të vërtetën dhe paqen".
20 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Do të vijnë akoma popuj dhe banorë të shumë qyteteve;
21 banorët e një qyteti do të shkojnë tek ata të tjetrit, duke thënë: "Le të shkojmë menjëherë t'i përgjërohemi fytyrës së Zotit dhe të kërkojmë Zotin e ushtrive. Edhe unë do të shkoj".
22 Po, shumë popuj dhe kombe të fuqishëm do të vijnë të kërkojnë Zotin e ushtrive në Jeruzalem dhe t'i përgjërohen fytyrës së Zotit".
23 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në ato ditë dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një Jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: "Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju"".