Danieli
Kapitull 12
"Në atë kohë do të dalë Mikaeli, princi i madh, mbrojtësi i bijve të popullit tënd; dhe do të jetë një kohë me ankthe, ashtu si nuk ka pasur kurrë që kur se ekzistojnë kombet e deri në atë kohë.
2 Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës do të zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të përjetshme.
3 Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë.
4 Por ti, Daniel, mbaji të fshehura këto fjalë dhe vulose librin deri në kohën e mbarimit; shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet".
5 Pastaj unë, Danieli, shikova, dhe ja, dy të tjerë më këmbë, njeri mbi këtë breg të lumit, dhe tjetri mbi bregun tjetër të lumit.
6 Një nga ata i tha burrit të veshur me rroba liri, që qëndronte mbi ujërat e lumit: "Kur do kryhen këto mrekulli?".
7 Unë dëgjova atëherë burrin e veshur me rroba liri që qëndronte mbi ujërat e lumit, i cili, ngriti dorën e djathtë dhe dorën e majtë drejt qiellit, u betua për atë që jeton përjtë se kjo do të jetë për një kohë, për disa kohëra dhe për gjysmën e një kohë; kur forca e popullit të shenjtë do të thyhet plotësisht, tërë këto gjëra do të kryhen.
8 Unë dëgjova, por nuk kuptova, prandaj pyeta: "Imzot, cili do të jetë fundi i këtyre gjërave?".
9 Ai u përgjigj: "Shko, Daniel, sepse këto fjalë janë të fshehura dhe të vulosura deri kohën e mbarimit.
10 Shumë njerëz do të pastrohen, do të zbardhen dhe do të përsosen; por të pabesët do të veprojnë me pabesi dhe asnjë nga të pabesët nuk do të kuptojë, por do të kuptojnë njerëzit e ditur.
11 Nga koha që do të ndalohet flijimi i përditshëm dhe do të ngrihet neveria që shkakton shkretimin do të kalojnë njëmijë e dyqind e nëntëdhjetë ditë.
12 Lum ai që pret dhe arrin në njëmijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë.
13 Por ti shko drejt mbarimit tënd; do të prehesh dhe pastaj do të ngrihesh përsëri për të marrë pjesën tënde të trashëgimisë në mbarim të ditëve".