Isaia
Kapitull 66
Kështu thotë Zoti: "Qielli është froni im dhe toka është mbështetësja e këmbëve të mia. Ku është, pra, shtëpia që mund të më ndërtoni dhe ku është vendi i çlodhjes sime?
2 Tërë këto gjëra i ka bërë dora ime dhe të gjitha kanë ardhur në ekzistencë, thotë Zoti. Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.
3 Kush flijon një ka është si të vriste një njeri, kush flijon një qengj është si t'i thyente qafën një qeni, kush paraqet një blatim ushqimor është si të ofronte gjak derri, kush djeg temjan është si të bekonte një idhull. Ashtu si këta kanë zgjedhur rrugët e tyre dhe shpirti i tyre kënaqet në veprimet e tyre të neveritshme,
4 kështu edhe unë do të zgjedh fatkeqësinë e tyre dhe do të bëj që të bjerë mbi ta ajo të cilën ata druajnë; sepse, kur thirra, askush nuk u përgjigj, kur fola, ata nuk më dëgjuan; përkundrazi bënë atë që është e keqe në sytë e mi dhe parapëlqyen atë që nuk më pëlqen mua.
5 Dëgjoni fjalën e Zotit, ju që dridheni nga fjala e tij. Vëllezërit tuaj, që ju urrejnë dhe ju dëbojnë për shkak të emrit tim, kanë thënë: "Le të tregojë Zoti lavdinë e tij me qëllim që ne të mund
6 Një zë, një zhurmë del nga qyteti, një zë vjen nga tempulli; është zëri i Zotit që u jep hakun armiqve të tij.
7 Para se të provojë dhembjet e pjelljes, ajo ka pjellë; para se t'i vinin dhembjet, ajo lindi një mashkull.
8 Kush vallë ka dëgjuar një gjë të tillë, kush vallë ka parë gjëra si këto? A lind vallë një vend brenda një dite të vetme apo një komb vjen vallë në dritë brenda një çasti? Por Sioni, me të ndjerë dhembjet, lindi fëmijët e saj.
9 "Do të çoj vallë në çastin e lindjes pa e bërë të pjellë?", thotë Zoti. "Unë që bëj të lindin a do ta mbyllja vallë barkun e nënës?", thotë Perëndia yt.
10 Gëzohuni me Jeruzalemin dhe ngazëlloni me të, ju të gjithë që e doni. Gëzohuni me të madhe me të, ju të gjithë që mbani zi për të,
11 me qëllim që të pini qumësht dhe të ngopeni në gjirin e përdëllimeve të tij, me qëllim që të pini me bollëk dhe të kënaqeni me mbushullimin e lavdisë së tij.
12 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të bëj që paqja t'i arrijë si një lumë dhe pasuria e kombeve si një përrua që vërshon, dhe ju do të pini qumësht, do t'ju mbajnë në ijët e tij dhe do t'ju përkëdhelin mbi gjunjët e tij.
13 Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu unë do t'ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni në Jeruzalem.
14 Ju do ta shihni këtë, dhe zemra juaj do të gëzohet, kockat tuaja do të marrin përsëri fuqi si bari i njomë. Dora e Zotit do t'u bëhet e njohur shërbëtorëve të tij dhe do të zemërohet me të madhe kundër armiqve të tij.
15 Sepse ja, Zoti do të vijë me zjarrin dhe qerret e tij do të jenë si një uragan për të hedhur zemërimin e tij me tërbim dhe kërcënimin e tij me flakë zjarri.
16 Sepse Zoti do të ushtrojë drejtësinë me zjarrin dhe shpatën e tij kundër çdo mishi; dhe të vrarët nga Zoti do të jenë të shumtë.
17 "Ata që shenjtërohen dhe pastrohen për të vajtur në kopshtet, prapa një idhulli që gjendet në mes, ata që hanë mish derri, gjëra të neveritshme dhe minj, do të konsumohen të gjithë", thotë Zoti.
18 Unë i njoh veprat e tyre dhe mendimet e tyre; është duke ardhur koha në të cilën do të mbledh tërë kombet dhe tërë gjuhët; ato do të vijnë dhe do të shikojnë lavdinë time.
19 Unë do të vë në një shenjë në mes tyre dhe do të dërgoj disa nga ata që mbijetuan prej tyre te kombet; në Tarshish, në Pul dhe në Lud që përdorin harkun, në Tubal dhe në Javan, në ishujt e largët që nuk kanë dëgjuar famën time dhe nuk kanë parë lavdinë time; këta do të shpallin lavdinë time ndër kombet,
20 dhe do t'i kthejnë tërë vëllezërit tuaj nga të gjitha kombet si një ofertë Zotit, mbi kuaj, mbi qerre, mbi bartina, mbi mushkë dhe mbi dromidarë te mali im i shenjtë i Jeruzalemit", thotë Zoti, "ashtu si bijtë e Izraelit çojnë një ofertë në një enë të pastër në shtëpinë e Zotit.
21 Do të marrë gjithashtu disa prej tyre si priftërinj dhe si Levitë", tha Zoti.
22 "Sepse ashtu si qiejtë e rinj dhe toka e re që unë do të bëj do të jenë të qëndrueshëm para meje", thotë Zoti, "kështu do të jenë pasardhësit tuaj dhe emri juaj.
23 Dhe do të ndodhë që nga një hënë e re në tjetrën dhe nga një e shtunë në tjetrën çdo mish do të vijë të bjerë në gjunë para meje, thotë Zoti.
24 "Kur ata do të dalin, do të shikojnë kufomat e njerëzve që rebeluan kundër meje; sepse krimbi i tyre nuk do të vdesë dhe zjarri i tyre nuk do të shuhet, dhe do të neveriten nga çdo mish".