Kantiku i Kantikëve

1 2 3 4 5 6 7 8


Kapitull 4

Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je! Sytë e tu prapa velit tënd janë si ato të pëllumbeshave; flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin në malin Galaad.
2 Dhëmbët e tua janë si një kope delesh të qethura, që kthehen nga vendi i larjes; të gjitha kanë binjakët e tyre dhe asnjë prej tyre nuk është shterpë.
3 Buzët e tua janë si një fije e kuqe flakë, dhe goja jote është e këndshme; tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një thelë shege.
4 Qafa jote është si kulla e Davidit, e ndërtuar për një armëri; mbi të cilën janë varur një mijë mburoja, të gjitha mburojat të njerëzve trima.
5 Të dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjël, binjake të gazelave, që kullosin midis zambakëve.
6 Përpara se flladi i ditës të ndihet dhe hijet të ikin, do të shkoj në malin e mirrës dhe në kodrën e temjanit.
7 Ti je e tëra e bukur, mikja ime, dhe nuk ka në ty asnjë të metë.
8 Eja me mua nga Libani, o nusja ime, eja me mua nga Libani! Shiko nga maja e Amanas, nga maja e Senirit dhe e Hermonit, nga strofkat e luanëve dhe nga malet e leopardëve.
9 Ti më ke rrëmbyer zemrën, o motra ime, nusja ime; ti më ke rrëmbyer zemrën me një shikim të vetëm të syve të tu, me një gushore të vetme të qafës sate.
10 Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote dhe aroma e vajrave të tua të parfumuara është më e këndshme se gjithë aromat!
11 Nusja ime, buzët e tua pikojnë si një huall mjaltë, mjaltë dhe qumësht ka nën gjuhën tënde, dhe aroma e rrobave të tua është si aroma e Libanit.
12 Motra ime, nusja ime, është një kopsht i mbyllur, një burim i mbyllur, gurrë e vulosur.
13 Filizat e tua janë një kopësht shegësh me fryte të zgjedhura me bimë të alkanës me nardo,
14 me nardo dhe kroko, kanellë dhe çinamom, me të gjitha llojet e drurëve të temjanit, të mirrës dhe të aloes, me të gjitha aromat më të mira.
15 Ti je një burim lulishtesh, një pus ujërash të freskëta, rrëkesh që dalin nga Libani.
16 Zgjohu, o veri dhe eja, o jugë; fryj mbi kopshtin tim, dhe aromat e tij të përhapen! Le të hyjë i dashuri im në kopshtin e tij dhe të hajë frytet e zgjedhura!