Fjalët e urta
Kapitull 18
Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.
2 Budallai nuk gjen kënaqësi te maturia, por vetëm në të vënit në dukje të zemrës së tij.
3 Kur vjen i pabesi vjen edhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi.
4 Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i diturisë është si një rrjedhë uji që shkon duke gurgulluar.
5 Nuk është mirë të preferosh të pabesin, apo të shkaktosh humbjen e të drejtit në gjyq.
6 Buzët e budallait të çojnë në grindje, dhe goja e tij kërkon goditje.
7 Goja e budallait është shkatërrimi i tij dhe buzët e tij janë një lak për jetën e tij.
8 Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë.
9 Edhe ai që është përtac në punën e tij është vëlla i planprishësit.
10 Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.
11 Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë dhe simbas mendimit të tij ajo është si një mur i lartë.
12 Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia.
13 Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet.
14 Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrerë një frymë të demoralizuar?
15 Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë.
16 Dhurata e njeriut i hap rrugën dhe e çon në prani të të mëdhenjve.
17 I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton.
18 Fati u jep fund grindjeve dhe i ndan të fuqishmit.
19 Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë; dhe grindjet janë si shulat e një kalaje.
20 Njeriu e ngop barkun me frytin e gojës së tij, ai ngopet me prodhimin e buzëve të tij.
21 Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj.
22 Kush ka gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti.
23 I varfëri flet duke u lutur, kurse i pasuri përgjigjet me ashpërsi.
24 Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla.