Psalmet
Kapitull 118
Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
3 Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
4 Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
5 Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m'u përgjigj dhe më çoi larg.
6 Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?
7 Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t'i shikoj triumfues armiqtë e mi.
8 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'i kesh besim njeriut.
9 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'u kesh besim princave.
10 Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t'i zhduk ato.
11 Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t'i shkatërroj.
12 Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t'i shkatërroj.
13 Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi.
14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.
15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.
16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.
17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.
18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.
19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.
20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.
21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.
22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.
23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.
24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.
25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.
26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.
28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.
29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.