Jobi

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42


Kapitull 13

"Ja, tërë këtë syri im e pa dhe veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi.
2 Atë që ju dini e di edhe unë; nuk vij pas jush.
3 Por do të dëshiroja të flas me të Plotfuqishmin, do të më pëlqente të diskutoja me Perëndinë;
4 sepse ju jeni trillues gënjeshtrash, jeni të gjithë mjekë pa asnjë vlerë.
5 Oh, sikur të heshtnit fare, kjo do të ishte dituria juaj.
6 Dëgjoni tani mbrojtjen time dhe vini re deklaratat e buzëve të mia.
7 A doni vallë të flisni në mënyrë të mbrapshtë në mbrotje të Perëndisë dhe të flisni në favor të tij me mashtrime?
8 A doni të përdorni anësi me të ose të mbroni një kauzë të Perëndisë?
9 Do të ishte më mirë për ju që ai t'ju hetonte, apo talleni me të ashtu si talleni me një njeri?
10 Me siguri ai do t'ju qortojë, në rast se fshehurazi veproni me anësi.
11 Madhëria e tij vallë a nuk do t'ju kallë frikë dhe tmerri i tij a nuk do të bjerë mbi ju?
12 Thëniet tuaja moralizuese janë proverba prej hiri, argumentet tuaja më të mira nuk janë veçse argumente prej argjila.
13 Heshtni dhe më lini mua të flas, pastaj le të më ndodhë çfarë të dojë.
14 Pse duhet ta mbaj mishin tim me dhëmbët dhe ta vë jetën time në duart e mia?
15 Ja, ai do të më vrasë, nuk kam më shpresë; sidoqoftë, do ta mbroj para tij qëndrimin tim.
16 Ai do të jetë edhe shpëtimi im, sepse një i pabesë nuk do të guxonte të paraqitej para tij.
17 Dëgjoni me vëmendje fjalimin tim dhe deklaratat e mia me veshët tuaj.
18 Ja, unë e kam përgatitur kauzën time; e di që do të njihem si i drejtë.
19 Kush kërkon, pra, të hahet me mua? Sepse atëherë do të heshtja dhe do të vdisja.
20 Vetëm mos bëj dy gjëra me mua, dhe nuk do t'i fshihem pranisë sate;
21 largoje dorën nga unë dhe tmerri yt të mos më kallë më frikë.
22 Pastaj mund edhe të më thërrasësh edhe unë do të përgjigjem, ose do të flas unë, dhe ti do të përgjigjesh.
23 Sa janë fajet e mia dhe mëkatet e mia? Më bëj të ditur shkeljet e mia dhe mëkatin tim!
24 Pse më fsheh fytyrën tënde dhe më konsideron si armikun tënd?
25 Mos do vallë të trembësh një gjethe të shtyrë sa andej dhe këndej dhe të ndjekësh ca kashtë të thatë?
26 Pse shkruan kundër meje gjëra të hidhura dhe bën që të rëndojë mbi mua trashëgimia e fajeve të rinisë sime?
27 Ti i vë këmbët e mia në pranga dhe kqyr me kujdes rrugët e mia; ti vendos një cak për tabanin e këmbëve të mia,
28 Ndërkaq trupi im po shpërbëhet si një send i kalbur, si një rrobë që e ka grirë mola".