II i Kronikave

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36


Kapitull 18

Jozafati pati pasuri të mëdha dhe lavdi; ai bëri krushqi me Ashabin.
2 Mbas disa vjetësh ai zbriti në Samari tek Ashabi. Atëherë Ashabi theri për të dhe për njerëzit që ishin me të një numër të madh delesh dhe lopësh dhe e bindi të dilte bashkë me të kundër Ramothit nga Galaadi.
3 Kështu Ashabi, mbret i Izraelit, i tha Jozafatit, mbretit të Judës: "A do të vish me mua kundër Ramothit nga Galaadi?". Jozafati iu përgjigj: "Ki besim tek unë si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu; do të vijmë në luftë bashkë me ty".
4 Pastaj Jozafati i tha mbretit të Izraelit: "Të lutem, konsulto po sot fjalën e Zotit".
5 Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët, katërqind veta, dhe u tha atyre: "A duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit nga Galaadi, apo duhet të heq dorë nga ky veprim?". Ata iu përgjigjën: "Shko, pra, sepse Perëndia do ta japë atë në duart e mbretit".
6 Por Jozafati tha: "Nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit me të cilin mund të këshillohemi?".
7 Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: "Éshtë edhe një njeri, Mikajahu, bir i Imlas, me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin; por unë e urrej, sepse nuk profetizon kurrë ndonjë gjë të mirë për mua, por vetëm të keqen". Jozafati tha: "Mbreti të mos flasë kështu".
8 Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: "Sille shpejt Mikajahun, birin e Imlas".
9 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e vet, të veshur me rrobat e tyre mbretërore; ishin ulur në lëmin që është te hyrja e portës së Samarisë; dhe tërë profetët bënin profeci përpara tyre.
10 Sedekia, bir i Kenaanahut, që kishte bërë brirë prej hekuri, tha: "Kështu thotë Zoti: "Me këta brirë do të shposh tejpërtej Sirët deri sa t'i shkatërrosh plotësisht"".
11 Tërë profetët profetizuan në të njëjtën mënyrë, duke thënë: "Dil kundër Ramothit nga Galaadi dhe do t'ia dalësh, sepse Zoti do ta japë atë në duart e mbretit".
12 Lajmëtari, që kishte shkuar të thërriste Mikajahun, i foli duke i thënë: "Ja, fjalët e profetëve përputhen duke thënë gjëra të mira për mbretin. Prandaj të lutem që fjala jote të jetë si fjala e secilit prej tyre; edhe ti thuaj gjëra të mira".
13 Por Mikajahu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, çdo gjë që Perëndia im do të thotë unë do ta shpall".
14 Si arriti para mbretit, mbreti i tha: "Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heq dorë?". Ai u përgjigj: "Shkoni, pra, dhe do t'ju dalë mbarë, sepse ata do të jepen në duart tuaja".
15 Atëherë mbreti i tha: "Sa herë duhet të përgjërohem që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?".
16 Mikajahu u përgjigj: "E pashë tërë Izraelin të shpërndarë në malet, ashtu si dhentë që janë pa bari; dhe Zoti tha: "Ata nuk kanë më zot; le të kthehet secili në paqe në shtëpinë e vet"".
17 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "A nuk të kisha thënë se lidhur me mua ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqen?".
18 Atëherë Mikajahu i tha: "Prandaj dëgjo fjalën e Zotit. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria qiellore rrinte në të djathtë dhe në të majtë të tij.
19 Zoti tha: "Kush do ta mashtrojë Ashabin, mbretin e Izraelit, që ai të dalë dhe të vdesë në Ramoth të Galaadit?"". Dikush u përgjigj në një mënyrë, dikush në mënyrë tjetër.
20 Atëherë doli përpara një frymë që u paraqit para Zotit dhe tha: "Unë do t'ia mbush mendjen". Zoti i tha: "Në çfarë mënyre?".
21 Ai u përgjigj: "Unë do të dal dhe do të jem një frymë i gënjeshtrës në gojën e të gjithë profetëve të tij". Zoti i tha: "Me siguri do t'arrish ta bësh për vete, shko dhe vepro kështu".
22 Prandaj ja, Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e këtyre profetëve të tu, por Zoti shpall fatkeqësi kundër teje".
23 Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe goditi me një shpullë Mikajahun, dhe tha: "Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë që të flasë me ty?".
24 Mikajahu u përgjigj: "Ja, do ta shohësh ditën në të cilën do të shkosh në një dhomë të brendshme për t'u fshehur!".
25 Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Merreni Mikajahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritar i qytetit, dhe tek Joasi, bir i mbretit,
26 dhe u thoni atyre: Kështu thotë mbreti: "Futeni këtë në burg dhe ushqejeni me bukë dhe me ujë hidhërimi, deri sa unë të kthehem shëndoshë e mirë"".
27 Mikajahu tha: "Në rast se ti kthehesh me të vërtetë shëndoshë e mirë, kjo do të thotë që Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje". Dhe shtoi: "Dëgjoni, o ju popuj të gjithë!".
28 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, dolën, pra, kundër Ramothit nga Galaadi.
29 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "Unë do të vishem ndryshe dhe pastaj do të shkoj të luftoj, por ti vish rrobat e tua mbretërore". Kështu mbreti i Izraelit ndërroi rrobat dhe shkuan të luftojnë.
30 Mbreti i Sirisë kishte dhënë këtë urdhër kapitenëve të qerreve të tij duke thënë: "Mos luftoni kundër askujt, të madh apo të vogël, por vetëm kundër mbretit të Izraelit".
31 Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: "Ai është mbreti i Izraelit". Pastaj e rrethuan për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një britmë dhe Zoti i vajti në ndihmë; Perëndia i shtyu të largoheshin prej tij.
32 Kur kapitenët e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja.
33 Por një njeri hodhi rastësisht një shigjetë me harkun e tij dhe e goditi mbretin e Izraelit midis lidhjeve të parzmores së tij; prandaj mbreti i tha shqytarit të tij: "Kthehu dhe më ço larg përleshjes, sepse jam plagosur".
34 Por beteja ishte aq e ashpër atë ditë sa që mbreti u detyrua të qëndrojë mbi qerren e tij përballë Sirëve deri në mbrëmje, dhe kur perëndoi dielli ai vdiq.