1 i Mbretërve

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22


Kapitull 12

Roboami shkoi në Sikem, sepse tërë Izraeli kishte ardhur aty për ta bërë mbret.
2 Kur Jeroboami, bir i Nebatit, e mësoi këtë (ai ishte në Egjipt, ku kishte ikur larg pranisë së mbretit Salomon), dhe Jeroboami jetonte në Egjipt.
3 Atëherë dërguan ta thërrasin. Kështu Jeroboami dhe tërë asambleja e Izraelit erdhën t'i flasin Roboamit dhe i thanë:
4 "Yt atë e ka bërë zgjedhën tonë të rënde; tani ti lehtëso skllavërinë e ashpër të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që na ka imponuar dhe ne do të të shërbejmë".
5 Ai iu përgjigj atyre: "Shkoni dhe kthehuni tek unë pas tri ditëve". Dhe populli iku.
6 Atëherë mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Salomonit, kur ishte i gjallë, dhe u tha: "Çfarë më këshilloni t'i përgjigjem këtij populli?".
7 Ata iu përgjigjën, duke thënë: "Në rast se sot ti do të bëhesh shërbëtor i këtij populli dhe do t'i shërbesh, në rast se do të tregohesh mirëdashës me ta dhe do t'u thuash fjalë të mira, ata do të jenë shërbëtorë të tu përjetë".
8 Por Roboami hodhi poshtë këshillën që i dhanë pleqtë dhe u këshillua me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin në shërbim të tij,
9 dhe u tha atyre: "Çfarë më këshilloni t'i përgjigjem këtij populli që më foli, duke më thënë: "Lehtëso zgjedhën që na ka vënë yt atë"?".
10 Atëherë të rinjtë që ishin rritur me të iu përgjigjën, duke thënë: "Kështu do t'i përgjigjesh këtij populli që të është drejtuar ty duke të thënë: "Yt atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tonë; tani ti lehtësoje atë". Kështu do t'u thuash atyre: "Gishti im i vogël është më i trashë nga brinjët e atit tim;
11 prandaj, në qoftë se im atë ju ka ngarkuar me një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se im atë ju ka dënuar me fshikull, unë do t'ju dënoj me kamxhik"".
12 Tri ditë më vonë Jeroboami dhe tërë populli erdhën te Roboami, ashtu si kishte urdhëruar mbreti, duke thënë: "Kthehuni tek unë pas tri ditëve".
13 Mbreti iu përgjigj ashpër popullit, duke mos pranuar këshillën që i kishin dhënë pleqtë;
14 përkundrazi i foli popullit sipas këshillës së të rinjve, duke thënë: "Im atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj; por unë do ta bëj edhe më të rëndë; im atë ju ka dënuar me fshikull, kurse unë do t'ju dënoj me kamxhik".
15 Kështu mbreti nuk mori parasysh kërkesën e popullit, sepse rrjedha e ngjarjeve varej nga Zoti, në mënyrë që të përmbushej fjala që Zoti i kishte drejtuar Jeroboamit, birit të Nebatit, me anë të Ahijahut nga Shiloh.
16 Kur tërë Izraeli pa që mbreti nuk e dëgjonte, iu përgjigj atij duke i thënë: "Çfarë pjese kemi ne me Davidin? Nuk kemi asnjë trashëgimi me të birin e Isait! Në çadrat e tua, o Izrael! Tani kujdesohu
17 Por mbi bijtë e Izraelit që banonin në qytetet e Judës mbretëronte Roboami.
18 Mbreti Roboam dërgoi Adoramin, të ngarkuarin me haraçet, por tërë Izraeli e qëlloi me gurë dhe ai vdiq. Atëherë mbreti Roboam shpejtoi të hipë mbi një qerre për të ikur në Jeruzalem.
19 Kështu Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit deri në ditën e sotme.
20 Kur tërë Izraeli dëgjoi që Jeroboami ishte kthyer, dërgoi ta thërrasë dhe të paraqitej përpara asamblesë dhe, e bëri mbret mbi tërë Izraelin. Asnjeri nuk e ndoqi shtëpinë e Davidit, me përjashtim të të vetmit fis të Judës.
21 Roboami, me të arritur në Jeruzalem, mblodhi tërë shtëpinë e Judës dhe fisin e Beniaminit, njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur për të luftuar kundër shtëpisë së Izraelit dhe për t'i kthyer kështu mbretërinë Roboamit, birit të Salomonit.
22 Por fjala e Perëndisë iu drejtua Shemajahut, njeriut të Perëndisë, duke i thënë:
23 "Folë me Roboamin, birin e Salomonit, mbret të Judës, me tërë shtëpinë e Judës dhe të Beniaminit dhe pjesës tjetër të popullit, dhe u thuaj atyre:
24 Kështu flet Zoti: "Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj, bijve të Izraelit! Secili të kthehet në shtëpinë e tij, sepse kjo gjë vjen nga unë". Ata iu bindën fjalës të Zotit dhe u kthyen prapa, sipas fjalës të Zotit.
25 Pastaj Jeroboami ndërtoi Sikemin në zonën malore të Efraimit dhe u vendos aty; pastaj doli që andej dhe ndërtoi Penuelin.
26 Jeroboami tha në zemër të vet: "Tani mbretëria do t'i kthehet me sa duket shtëpisë së Davidit.
27 Në rast se ky popull shkon në Jeruzalem për t'ë ofruar flijime në shtëpinë e Zotit, zemra e këtij populli do të kthehet përsëri nga zotëria e tij, nga Roboami, mbret i Judës; kështu do të më vrasin dhe do të kthehen nga Roboami, mbret i Judës".
28 Mbasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari dhe i tha popullit: "Éshtë shumë për ju të shkoni deri në Jeruzalem! O Izrael, ja ku janë perënditë e tua që të kanë nxjerrë nga vendi i Egjiptit!".
29 Pastaj vendosi njerin prej tyre në Bethel dhe tjetrin në Dan.
30 Ky ishte shkaku i mëkatit, sepse populli shkonte deri në Dan për të rënë përmbys përpara një viçi.
31 Ai ndërtoi edhe tempuj mbi vendet e larta dhe bëri priftërinj duke i marrë nga të gjitha shtresat, por që nuk ishin bij të Levit.
32 Jeroboami caktoi një festë në muajin e tetë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, të njëllojtë me festën që kremtohej në Judë dhe ofroi flijime mbi altarin. Kështu veproi në Bethel për të flijuar viçat që ai kishte bërë; dhe në Bethel vendosi priftërinjtë e vendeve të larta që kishte ngritur.
33 Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, muaj i zgjedhur nga ai vetë, Jeroboami u ngjit në altarin që kishte ndërtuar në Bethel; caktoi një festë për bijtë e Izraelit dhe u ngjit në altar për të djegur temjan.