Gjyqtarët

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21


Kapitull 19

Në atë kohë, kur nuk kishte mbret në Izrael, një Levit, që banonte në pjesën më të lartë të krahinës malore të Efraimit, mori si konkubinë një grua nga Betlemi i Judës.
2 Kjo konkubinë kreu një shkelje të kurorës kundër tij dhe e la për t'u kthyer në shtëpinë e atit të saj në Betlem të Judës, ku qendroi katër muaj.
3 Burri i saj u ngrit dhe shkoi te ajo për t'i folur zemrës së saj dhe për ta kthyer në shtëpi. Ai kishte marrë me vete shërbëtorin e tij dhe dy gomarë. Kështu ajo e çoi në shtëpinë e atit të saj; sa e pa, i ati i së resë e priti tërë gëzim.
4 Vjehrri i tij, i ati i së resë, e mbajti dhe ai qëndroi tri ditë me të; kështu hëngrën e pinë, dhe e kaluan natën aty.
5 Ditën e katërt u ngritën herët në mëngjes dhe Leviti po bëhej gati të nisej, por i ati i vajzës së re i tha dhëndrit të tij: "Ha diçka që të mbahesh, pastaj shkoni".
6 Kështu u ulën bashkë, hëngrën dhe pinë njeri afër tjetrit. Pastaj i ati së resë i tha burrit të saj: "Të lutem, prano ta kalosh natën këtu, dhe zemra jote të gëzohet".
7 Ai u ngrit për të ikur, por i vjehrri nguli këmbë aq shumë sa që ai vendosi ta kalojë natën aty.
8 Ditën e pestë ai u ngrit herët në mëngjes që të ikte; dhe i ati i së resë i tha: "Të lutem, ngrohe zemrën". Kështu u ndalën deri në pasdite dhe që të dy hëngrën.
9 Kur ai njeri u ngrit për të ikur bashkë me konkubinën e tij dhë shërbëtorin e tij, i vjehrri, i ati i së resë, i tha: "Ja, ka filluar të erret; të lutem kaloje natën këtu; shiko, dita është duke mbaruar; kaloje këtu natën dhe zemra jote të gëzohet; nesër do të niseni herët dhe do të arrini në shtëpi".
10 Por ai njeri nuk deshi ta kalojë natën aty; kështu u ngrit, u nis dhe arriti përballë Jebusit, që është Jeruzalemi, me dy gomarët e tij të shaluar dhe me konkubinën e tij.
11 Kur arritën pranë Jebusit, dita kishte kaluar tërësisht; shërbëtori i tha zotit të tij: "Eja, të lutem, të hyjmë në këtë qytet të Jebusejve dhe ta kalojmë natën aty".
12 I zoti iu përgjegj: "Jo, nuk do të hyjmë në një qytet të huajsh që nuk janë bij të Izraelit, por do të shkojmë deri në Gibeah".
13 Pastaj i tha shërbëtorit të tij: "Eja, të arrijmë në një nga këto vende dhe ta kalojmë natën në Gibeah ose në Ramah".
14 Kështu shkuan tutje dhe e vazhduan udhëtimin; dhe dielli perëndoi mbi ta pranë Gibeahut, që është pronë e Beniaminit.
15 Aty u kthyen për të hyrë dhe për të kaluar natën në Gibeah. Kështu Leviti hyri dhe u ndal në sheshin e qytetit; por askush nuk i priti për të kaluar natën në shtëpinë e tij.
16 Pikërisht në atë kohë një plak po kthehej në mbrëmje nga puna e tij në ara; ai ishte nga krahina malore e Efraimit dhe banonte si i huaj në Gibeah, por njerëzit e vendit ishin Beniaminitë.
17 Me të ngritur sytë, pa kalimtarin në sheshin e qytetit. Plaku i tha: "Ku po shkon dhe nga po vjen?".
18 Leviti iu përgjegj: "Po shkojmë nga Betlemi i Judës në drejtim të pjesës më të largët të krahinës malore të Efraimit. Unë jam që andej dhe kisha vajtur në Betlem të Judës; tani po shkoj në shtëpinë e Zotit, por nuk ka njeri që të më presë në shtëpinë e tij.
19 Megjithatë ne kemi kashtë dhe bar për gomarët tanë dhe bukë e verë për mua, për shërbëtoren tënde dhe për djalin që është bashkë me shërbëtorin tënd; nuk na mungon asgjë".
20 Plaku i tha: "Paqja qoftë me ty! Megjithatë më lejo të kujdesem për çdo nevojë që ke; por ti nuk duhet ta kalosh natën në shesh".
21 Kështu e çoi në shtëpinë e tij dhe u dha ushqim gomarëve; udhëtarët lanë këmbët, pastaj hëngrën dhe pinë.
22 Ndërsa po kënaqeshin, disa njerëz të qyteti, njerëz të këqij rrethuan shtëpinë i ranë portës dhe i thanë të zotit plak të shtëpisë: "Nxirre jashtë atë njeri që ka hyrë në shtëpinë tënde, sepse duam ta njohim!".
23 Por i zoti i shtëpisë me të dalë jashtë, u tha atyre: "Jo, vëllezërit e mi, mos u sillni në mënyrë kaq të keqe; ky njeri erdhi në shtëpinë time, prandaj mos kryeni një poshtërsi të tillë!.
24 Ja ku janë këtu vajza ime e virgjër dhe konkubina e këtij njeriu; unë do t'i nxjerr jashtë, poshtërojini dhe bëni atë që mendoni; por mos kryeni kundër këtij njeriu një turp të tillë!".
25 Por ata njerëz nuk e dëgjuan. Atëherë ai burrë mori konkubinën e tij dhe ua nxori atyre; ata e njohën dhe e përdorën tërë natën deri në mëngjes; e lanë të ikë vetëm kur filloi të zbardhë dita.
26 Ndaj të gdhirë kjo grua erdhi e u rrëzua para portës së shtëpisë të njeriut pranë të cilit rrinte burri i saj dhe mbeti aty deri sa u bë ditë.
27 Në mëngjes burri i saj u ngrit, hapi portën e shtëpisë dhe doli për të vazhduar udhëtimin e tij; dhe ja, konkubina e tij rrinte shtrirë te porta e shtëpisë me duart në pragun e saj.
28 Ai i tha: "Çohu dhe eja të shkojmë!". Por nuk mori asnjë përgjigje. Atëherë burri e ngarkoi mbi gomarin dhe u nisën për t'u kthyer në shtëpinë e vet.
29 Me të arritur në shtëpi, kapi një thikë, mori konkubinën e tij dhe e preu, gjymtyrë për gjymtyrë, në dymbëdhjetë copa, që i shpërndau në gjithë territorin e Izraelit.
30 Kushdo që e pa këtë tha: "Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk është parë asnjë herë një gjë e tillë, qysh prej kohës që bijtë e Izraelit dolën nga vendi i Egjiptit e deri sot! Mbajeni parasysh këtë gjë; këshillohuni dhe flisni".