Levitiku

1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27


Kapitull 11

Pastaj Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë atyre:
2 "Foluni bijve të Izraelit dhe u thoni: Këto janë kafshët që do të mund të hani nga tërë kafshët që janë mbi tokë.
3 Mund të hani çdo kafshë dythundrake që e ka këmbën të ndarë dhe ripërtypet.
4 Por nga ripërtypësit dhe nga dythundrakët nuk do të hani këto: devenë sepse përtypet, por nuk është dythundrake; për ju është e papastër;
5 baldosën, sepse ripërtypet, por nuk është dythundrake; për ju është e papastër;
6 lepurin, sepse ripërtypet, por nuk është dythundrak; për ju është i papastër;
7 derrin, sepse është dythundrak dhe e ka këmbën të ndarë, por nuk është ripërtypës; për ju është i papastër.
8 Nuk do të hani nga mishi i tyre dhe nuk do të prekni trupat e tyre të pajetë; për ju janë të papastër.
9 Midis gjithë kafshëve që ndodhen në ujë mund të hani këto: mund të hani të gjithë ato që kanë pendë e luspa në ujë, si në dete ashtu dhe në lumenj.
10 Por të gjitha ato që nuk kanë as pendë as luspa, si në dete, ashtu dhe në lumenj, tërë ato që lëviznin në ujë dhe të gjitha ato që jetojnë në ujë janë të neveritshme për ju.
11 Do të jenë të neveritshme për ju; nuk do të hani mishin e tyre dhe do keni neveri për trupin e tyre të pajetë.
12 Çdo gjë që në ujë nuk ka pendë dhe luspa do të jetë e neveritshme për ju.
13 Midis zogjve do të keni neveri këta; nuk duhet t'i hani, sepse janë të neveritshëm: shqiponjën, shqiponjën e detit dhe fajkuan peshkatar;
14 qiftin dhe çdo lloj fajkoi;
15 çdo lloj korbi;
16 strucin, hutën, pulëbardhën dhe çdo lloj krahathatë;
17 bufin, karabullakun e detit, ibisin;
18 mjellmën, pelikanin, hutën;
19 lejlekun, çdo lloj çafke, pupëzen dhe lakuriqin e natës.
20 Do të keni neveri për çdo insekt me krahë që ecën me katër këmbë.
21 Por nga të gjitha insektet me krahë që ecin me katër këmbë, mund të hani ato që i kanë kofshët mbi këmbët për të kërcyer në tokë.
22 Nga këta mund të hani çdo lloj karkaleci, çdo lloj bulku dhe çdo lloj akridi.
23 Çdo lloj tjetër insekti me krahë që ka katër këmbë do të jetë i neveritshëm për ju.
24 Këto kafshë do t'ju bëjnë të papastër; kushdo që prek trupin e tyre të pajetë do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
25 Kushdo mbart trupat e tyre të pajetë, do të lajë rrobat dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
26 Çdo kafshë dythundrake që nuk e ka këmbën të ndarë dhe nuk ripërtypet është e papastër për ju; kushdo që do ta prekë do të bëhet i papastër.
27 Ndër të gjitha kafshët katërkëmbëshe, ata që ecin mbi shputën e këmbëve janë të papastër për ju; kushdo që prek trupin e tyre të pajetë do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
28 Kushdo që transporton trupin e tyre të pajetë do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Për ju ata janë të papastër.
29 Ndër kafshët që zvarriten mbi tokë, këta janë të papastër për ju: urithi, miu dhe çdo lloj hardhje,
30 gekoja, varani, hardhuca, kërmilli dhe kameleoni.
31 Këto kafshë midis tërë atyre që zvarriten janë të papastra për ju; kushdo që i prek kur kanë ngordhur, do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
32 Çdo gjë mbi të cilën një prej tyre bie kur kanë ngordhur do të jetë e papastër; qoftë kjo një vegël prej druri, apo rroba, apo lëkurë, apo thes apo çfarëdo sendi tjetër i përdorur për punë, duhet të futet në ujë dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje; pastaj do të jetë i pastër.
33 Çdo enë prej argjile brenda të cilës një prej tyre bie, do ta thyeni; dhe gjithçka që ndodhet në të do të jetë i papaster.
34 Çdo ushqim që hahet mbi të cilin bie uji i kësaj ene do të bëhet i papastër; dhe çdo gllënjkë që mund të merret prej tij do të jetë e papastër.
35 Çdo gjë mbi të cilën bie një pjesë e trupit të tyre të ngordhur, qoftë furra apo furnela, do të copëtohet; ata janë të papastër dhe do të konsiderohen të papastër nga ana juaj.
36 Por një burim apo një çisternë, ku mblidhet uji do të jetë i pastër, por çdo gjë që prek trupat e tyre të pajetë do të jetë e papastër.
37 Dhe në rast se një pjesë e trupave të tyre të pajetë bie mbi çfarëdo lloj fare që të mbillet, kjo do të mbetet e pastër;
38 por në rast se vihet ujë mbi farën dhe një pjesë e trupave të pajetë të tyre bie mbi të, ajo është e papastër për ju.
39 Në rast se ngordh një kafshë që ju lejohet ta hani, ai që do të prekë trupin e pajetë të saj do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
40 Ai që ha nga ky trup i ngordhur do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje; po kështu ai që transporton këtë trup të ngordhur do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
41 Çdo gjë që hiqet zvarrë mbi tokë është një gjë e neveritshme; nuk duhet ta hani.
42 Ndër të gjitha kafshët që hiqen zvarrë mbi tokë, nuk do të hani asnjërën prej atyre që ecin mbi bark, që lëvizin me katër këmbë, ose të atyre që kanë shumë këmbë, sepse kjo është e neveritshme.
43 Mos u bëni të neveritshëm me asnjë nga këto kafshë që zvarriten; mos u bëni të papastër me to, në mënyrë që të ndoteni.
44 Sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj; shenjtërohuni, pra, dhe jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë; mos u infektoni me asnjë prej këtyre kafshëve që zvarriten mbi tokë.
45 Sepse unë jam Zoti që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit, për të qënë Perëndia juaj; jini pra të shenjtë sepse unë jam i shenjtë.
46 Ky është ligji përkatës i katërkëmbëshve, zogjve dhe i çdo qënieje të gjallë që lëviz në ujë, dhe i çdo qënieje që hiqet zvarrë mbi tokë,
47 me qëllim që të dini të dalloni midis asaj që është e pastër dhe asaj që është e papastër, dhe midis kafshës që mund të hahet dhe të asaj që nuk duhet të hahet".