Eksodi
Kapitull 28
"Pastaj afro pranë vetes sate Aaronin, tët vëlla, dhe bijtë e tij së bashku me të, nga gjiri i bijve të Izraelit, që të më shërbejnë mua si prift; e kam fjalën për Aaronin, Nadabin, Eleazarin dhe Ithamarin, bij të Aaronit.
2 Dhe do t'i bësh Aaronit, vëllait tënd, rroba të shenjta, për t'i dhënë nder e hijeshi.
3 Do të flasësh me të gjithë personat e aftë, që i kam mbushur me frymën e diturisë, dhe ata t'i bëjnë rrobat e Aaronit për ta shenjtëruar, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift.
4 Dhe këto janë rrobat që do të bëjnë: një pektoral, një efod, një mantel, një tunikë e thurur me shtiza, një çallmë dhe një brez. Do të bëjnë, pra, rroba të shenjta për Aaronin, vëllanë tënd dhe për bijtë e tij, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift;
5 ata do të përdorin ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe li të hollë.
6 Do ta bësh efodin me ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, të kuqe flakë si dhe me fill liri të hollë dhe të përdredhur, të punuar artistikisht.
7 Në dy skajet e tij do të ketë të lidhura dy supore, me qëllim që të mbahet si një e tërë.
8 Brezi i punuar artistikisht, që ndodhet mbi efodin, do të ketë po atë punë të efodit: prej ari dhe me fije ngjyrë vjollce, të purpurt, me flakë të kuqe dhe prej liri të hollë të përdredhur.
9 Pastaj do të marrësh dy gurë oniksi dhe do të gdhendësh mbi ta emrat e bijve të Izraelit:
10 gjashtë nga emrat e tyre mbi një gur dhe gjashtë emrat e tjerë mbi gurin tjetër, sipas radhës së tyre të lindjes.
11 Do të gdhendësh mbi këta gurë emrat e bijve të Izraelit ashtu siç bën prerësi i gurit në gdhendjen e një vule; do t'i futësh në rrathë ari.
12 Do t'i vësh të dy gurët mbi supet e efodit, si gurë kujtimore për bijtë e Izraelit; dhe Aaroni do t'i çojë emrat e tyre si një kujtim para Zotit mbi dy shtyllat e tij.
13 Do të bësh gjithashtu rrathë ari
14 dhe dy zinxhirë prej ari safi, të thurur si një litar, dhe do të vësh në rrathët zinxhirët e thurur në këtë mënyrë.
15 Do të bësh gjithashtu pektoralin e gjykimit, të punuar në mënyrë artistike; do ta bësh punën si për efodin: prej ari, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe me li të hollë të përdredhur.
16 Do të jetë katror dhe i palosur më dysh; do të jetë një pëllëmbë i gjatë dhe një pëllëmbë i gjerë.
17 Dhe do të ngallmosh katër radhë gurësh: në radhën e parë një sardonio, një topaz dhe një smerald;
18 në radhën e dytë: një bruz, një safir dhe një diamant;
19 në radhën e tretë: një hiacint, një agat dhe një ametist;
20 në radhën e katërt: një grisolist, një oniks dhe një diaspër. Këta gurë do të ngallmohen në rrathët e tyre të artë.
21 Dhe gurët do t'u korrespondojnë emrave të bijve të Izraelit: dymbëdhjetë, simbas emrave të tyre, të gdhendur si vula, secila me emrin e fiseve të Izraelit.
22 Do të bësh gjithashtu mbi pektoral zinxhirë të vegjël prej ari safi të thurur si kordonë.
23 Pastaj do të bësh mbi pektoral dyj unaza prej ari, dhe do t'i vësh të dy unazat në dy skajet e pektoralit.
24 Pastaj do t'i fiksosh dy kordonat prej ari në dy unazat në skajet e pektoralit;
25 dhe dy majat e tjera të dy kordonëve do t'i lidhësh me të dy rrathët dhe do t'i vendosësh mbi dy supet e efodit, nga përpara.
26 Do të bësh edhe dy unaza ari dhe do t'i vendosësh në dy skajet e pektoralit, mbi palën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit.
27 Do të bësh dy unaza të tjera ari dhe do t'i vendosësh mbi të dy supet e efodit poshtë, në pjesën e përparme pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit.
28 Dhe pektorali do të fiksohet me anë të dy unazave të tij në unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, në mënyrë që pektorali të ndodhet mbi brezin e punuar artistikisht të efodit dhe të mos shkëputet dot prej këtij të fundit.
29 Kështu Aaroni do t'i çojë emrat e bijve të Izraelit të skalitur në pektoralin e gjykimit, mbi zemrën e tij, kur do të hyjë në shenjtërore, në kujtim të përjetshëm përpara Zotit.
30 Do të vësh mbi pektoralin e gjykimit Urim-in dhe Thumim-in; dhe do të jenë mbi zemrën e Aaronit kur të paraqitet përpara Zotit. Kështu Aaroni do të çojë gjykimin e bijve të Izraelit mbi zemrën e tij para Zotit, vazhdimisht.
31 Do të bësh edhe mantelin e efodit, krejt në ngjyrë vjollce.
32 Në mes të tij do të ketë një hapje për të kaluar kokën; rreth e qark kësaj hapjeje do të ketë një buzë prej stofi të punuar, si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhet.
33 Rreth e qark kësaj buze të mantelit do të bësh disa shegë ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe rreth tyre, zile ari;
34 një zile ari dhe një shegë, një zile ari dhe një shegë, rreth e qark, mbi buzën e mantelit.
35 Aaroni do ta përdorë për të kryer shërbimin; dhe tingulli i saj do të dëgjohet kur të hyjë në vendin e shenjtë përpara Zotit dhe kur të dalë andej, me qëllim që ai të mos vdesë.
36 Do të bësh edhe një pllakë prej ari safi dhe mbi të do të gdhendësh, ashtu siç bëhet mbi një vulë, fjalët: SHENJTÉRI ZOTIT.
37 Do t'i lidhësh asaj një rrip ngjyrë vjollce, për ta bashkuar me çallmën; ajo duhet të ndodhet në pjesën e përparme të çallmës.
38 Kështu do të qëndrojnë mbi ballin e Aaronit, dhe Aaroni do të mbajë fajin të shoqëruar me gjërat e shenjta të paraqitura nga bijtë e Izraelit, në çdo lloj ofertash të shenjta; ajo do të rrijë vazhdimisht mbi ballin e tij, në mënyrë që ato të jenë të mirëpritura nga Zoti.
39 Do të endësh gjithashtu tunikën prej liri të hollë, të punuar me shtiza; do të bësh një çallmë prej liri të hollë dhe një brez, një punë qëndistari.
40 Për bijtë e Aaronit do të bësh disa tunika, breza dhe mbulesa koke, me qëllim që t'u japësh atyre nder dhe hijeshi.
41 Me ato do të veshësh më vonë vëllanë tënd Aaronin dhe bijtë e tij bashkë me të; ti do t'i vajosësh, do t'i shugurosh dhe do t'i shenjtërosh, që të më shërbejnë si priftërinj.
42 Do t'u bësh gjithashtu disa pantallona prej liri për të mbuluar lakuriqësinë e tyre; ato do të shkojnë nga ijët deri te kofshët.
43 Aaroni dhe bijtë e tij do t'i veshin kur të hyjnë në çadrën e mbledhjeve, ose kur t'i afrohen altarit për të bërë shërbimin në vendin e shenjtë, me qëllim që mos bëhen fajtorë dhe të mos vdesin. Ky është një statut i përjetshëm për të dhe për trashëgimtarët e tij".